Në hulumtimin e kandidatit Ilir Tolaj, ORCA ka zbuluar që në tezën e doktoratës së tij ka përbërje të theksuar të plagjiaturës nga një burim i vetëm.
Me rastin e shpalljes së kandidaturave për rektor të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) po hulumton kredencialet akademike të tyre.
Në komuniaktën e ORCA thuhet se “doktorata ‘Sepsisi meningokoksik në Kosovë – Përvojat tona në përdorimin e terapisë adjuvante’ e mbrojtur në vitin 2004 në Universitetin e Prishtinës nga kandidati Ilir Tolaj, pjesën e hyrjes, shqyrtimit të literaturës, dhe 99% të referencave i ka identike dhe të përkthyera nga një punim shkencor i vitit 2000 nga autorë të huaj”.
“Ky disertacion i ka shërbyer profesorit Ilir Tolaj për ta marrë gradën doktor i shkencave, për t’u punësuar në Universitetin e Prishtinës dhe për të mbajtur titull akademik”, thuhet në komunikatë, transmeton Telegrafi.
Më tej thuhet se “ORCA ka përgatitur një dosje me dëshmi të mjaftueshme për ta dokumentuar plagjiaturën e profesorit dhe kandidatit për rektor dhe sot i është drejtuar Këshillit të Etikës të UP-së, organ ky që është përgjegjës për verifikimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të tilla të cilat cenojnë integritetin dhe ndershmërinë intelektuale të universitetit”.
“Ne presim që ky organ ta shqyrtojë dokumentacionin e ofruar dhe të vërtetojë se profesori Ilir Tolaj ka kryer shkelje të rënda nga Kodi i Etikës, Statuti i UP-së dhe nga Rregullorja për masat dhe procedurat disiplinore ndaj personelit akademik të Universitetit të Prishtinës”.
“Bazuar në të gjitha këto shkelje, ne presim që Këshilli i Etikës bazuar në kompetencat e përcaktuara në paragrafin 6 të nenit 2 të Rregullores për masat dhe procedurat disiplinore ndaj personelit akademik të Universitetit të Prishtinës të marrë këtë vendim duke shqiptuar:
- masën disiplinore sipas nenit 8, paragrafit 1, nën paragrafit 1.10: “ndërprerje të marrëdhënies së punës”;
- dhe masën disiplinore sipas nenit 8, Paragrafit 1, nën-paragrafit 1.9: “revokim i gradës shkencore” të doktorit të shkencave”, thuhet në komunikatën e ORCA-s.
Dëshmitë e prezantuara nga ORCA për plagjiaturën e kandidatit për rektor, Ilir Tolaj, i gjeni KËTU