“Kjo lëvdata se kemi buxhet më të madh në histori nga secili vit në vit ka qëndruar që nga 1999 e do të vazhdoj kështu edhe për dekada me radhë. Kemi një inflacion për produktet esenciale dhe ndërtimore që kalon shifrën 20 për qind, që i bie që buxheti real është 2.6 miliardë euro e jo 3.2 miliardë euro. Përkundër kësaj, kur vjen çështja të ministritë nuk kemi zgjidhje, pro nuk zgjidhjet asnjë problem, pra kemi një ndarje anemike”, tha Mustafa.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa ka theksuar se buxheti real për vitin 2023 është 2.6 miliardë euro e jo 3.2 miliardë euro aq sa pretendon Qeveria.
Mustafa në seancën e Kuvendit të Kosovës është shprehur se Ministria e Financave po tenton të bëjë shkelje kushtetuese lidhur me ndarjet buxhetore për komunat.
Sipas tij, nuk është ndarë asnjë cent në rritjen e kapaciteteve gjeneruese energjetike.
“Asnjë cent për rritjen e kapaciteteve gjeneruese energjetike, e Kosova ndodhet në krizë energjetike. Te shëndetësia, përveç që nuk kemi ministër, nuk kemi asnjë cent për reformimin e këtij sektori. Ka shkurtim të vendeve të punës në sektorin e arsimit, ku për vitin 2023 do të këtë më pak mësimdhënës e arsimtar në shkollat e Kosovës”, u shpreh ai.
Ai thekson se ka performancë të dobët të realizimit të projekteve.
“E gjithë rinia e Kosovës do të duhet të mjaftohet me një buxhet prej 1.86 milion euro për vitin 2023.
Të gjitha rajonet e Kosovës pritet të zhvillohen me 1.84 milionë euro për vitin 2023, rreth 2 milionë euro në viti 2024 dhe mbi 2 milionë euro në vitin 2025. Për kundër këtij buxheti, keni treguar një performacë të dobët në dy vitet e fundit, në vitin 2021 dhe 2022. Në vitin 2021 janë shpenzuar vetëm 35 milionë euro se në vitin 2020, e ky vit ka qenë vit pandemik. Sipas raportit për vitin 2022 për investimet kapitale janë shpenzuar vetëm 21 për qind dhe subvencione e transfere vetëm 29 për qind”, thekson ai.
“Dua t’iu tërheqë vëmendjen te neni 9 paragrafi 6 për buxhetin e komunave, ku Ministria e Financave po tenton të bëjë shkelje kushtetuese dhe të jetë në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike”, përfundon Mustafa.