Në këtë mbledhje është vendosur edhe për ndarjen e mjeteve buxhetore për mbajtjen e Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme për Kryetar në Komunat: Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhje elektronike, ku ka marrë disa vendime.
Këto janë të gjitha vendimet:
Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot një mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar:
– Kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje buxhetore në shumën prej 5,705,039 eurove.
– Kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumën prej 310,183 euro për mbajtjen e Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme për Kryetar në Komunat: Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
– Rregulloren për Strukturën Organizative të Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit. Kjo rregullore përcakton strukturën organizative të Njësive profesionale të zjarr fikjes dhe shpëtimit, si dhe kriteret themelore të organizimit, gradimit dhe funksionimit të tyre.
– Vendimin për shpërndarjen e Kuvendit Komunal të Zveçanit dhe Kuvendit Komunal të Leposaviqit për shkak të jo funksionalitetit të tyre dhe si pasojë, pamundësisë së ushtrimit të kompetencave ligjore.
– Vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit për nënshkrimin e Marrëveshjes Implementuese ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore dhe Ministrisë së Mbrojtjes në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, lidhur me atashimin e personelit nga Forca e Sigurisë së Kosovës në Kompaninë Roulment të Këmbësorisë në Ishujt Falklands.