Por, ai nuk u acarua në Estoni siç bën në Kosovë kur pas takimit me homologen e tij, Kaja Kallas, doli para gazetarëve.
Ai u pyet për dy tema të nxehta nga i njëjti gazetar estonez, por u tregua i “edukuar” në përgjigje.
Kryeministri Albin Kurti nuk duket edhe aq miqësor kur pranon më shumë se një pyetje nga i njëjti gazetar në konferencat që mban në Qeverinë e Kosovës.
Kurtin e pyetën për qëndrimin e tij ndaj targave ilegale dhe Gjykatën Speciale.
Për targat, Kurti zbuloi se janë duke u zhvilluar negociata të reja nga zëvendësi i tij në Bruksel dhe se janë në pritje të asaj se çka do të prodhojnë ato.
Pas dhënies së përgjigjes së parë, për të dytën nuk e zbuloi qëndrimin e tij fuqishëm të kundërt sa e kishte në opozitë për krijimin e saj, por vetëm tha se tribunalet ndërkombëtare janë të nevojshme për t’iu dhënë drejtësi viktimave të një agresioni meqë pyetja ishte nëse një gjykatë e tillë i duhet Ukrainës.
Në këtë rast, Kurti përmendi me radhë krimet e Serbisë në Kosovë dhe tha se janë të pakënaqur me pandëshkimin e gjenocidit serb.