Sipas njoftimit, Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri Ç.J, akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, prej muajit janar 1998 deri me 21 qershor 1999, në territorin e Komunës së Istogut, në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare ka aplikuar masat e torturimit ndaj personave civil, të dëmtuarve Z.M, N.F dhe N.C.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka njoftuar se të premten ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit me iniciale Ç.J, i nacionalitetit serb, me vendbanim në Serbi, shtetas i Republikës së Serbisë, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale ‘’Krimi i luftës kundër popullsisë civile’’, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.
Gjithashtu, kjo prokurori ka njoftuar se hetimet kanë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri i lartcekur në bashkëkryerje me persona të tjerë, të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet.
“I pandehuri gjendet nën masën e sigurisë – paraburgim, sipas vendimit të Gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e Gjykatës”, thuhet në njoftim.