“Afati i aplikimit në thirrjen publike për subvencionim të efiçiencës së energjisë për qytetarët Faza 1 është mbyllur me 12 tetor 2022 pasi numri i aplikimeve ka shteruar shumën e paraparë për këtë thirrje prej 6 milionë euro. Ndërsa tani e kemi hapur fazën e dytë”, tha ajo.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se subvencione për energji në fazën e parë kanë përfituar 2 mijë e 228 qytetarë në vlerë prej 1 milion e 435 mijë euro.
Rizvanolli ka bërë të ditur se afati i aplikimit në thirrjen publike për subvencionim të efiçiencës së energjisë për qytetarët Faza 1 është mbyllur më 12 tetor të këtij viti, ndërsa është hapur aplikimi për Fazën 2, raporton EO.
Ajo ka treguar edhe sa persona kanë aplikuar për secilën pajisje.
“Në fazën e parë kanë aplikuar gjithsej 5 mijë e 992 qytetarë dhe se vlera e rimburësuar deri më tani është mbi 800 mijë euro. Pompë termike, 1 313, inventar 2 656, Kaldaja me biomasë 816, stufa me biomasë 1 207”.
“Me më rendësi është që në ditën e parë kemi pranuar qindra pyetje nga qytetarët dhe të gjitha këto jemi munduar t’i adresojmë”, tha ajo më tej.
“Përfituesit e ndihmës sociale do ta kenë subvencionimin e stufës deri në 60 për qind, gjithashtu jemi në komunikim me komunat në mënyrë që Qendrat për Punë Sociale për t’i dal në ndihmë qytetarëve për të aplikuar në aplikimin në E-Kosova”, tha tutje Rizvanolli.
Tutje, Rizvanolli tha se pas shqetësimeve të qytetarëve është vendosur që të ndërhyhet në disa kritere.
“Tani në thirrjen e dytë përveç kritereve që kanë qenë janë edhe ndryshimet në vijim. Qytetarët që janë në skemën sociale, është rritur subvencioni për inventer nga 40% me maksimum 400 euro, deri në 60% të vlerës ose jo më shumë se 550 euro. Për stufat individuale me biomasë dhe për klimat inventer, këtyre kategorive do të mundësohet që të aplikojnë me profaturë”.
“Jemi në komunikim me komunat dhe qendrat sociale, në mënyrë që qendrat për punë sociale të shohin mundësitë për t’u ofruar mbështetje qytetarëve gjatë aplikimit ne e-Kosova. Për nënat vetushqyese kemi paraparë subvencion më të lartë për stufat individuale me biomasë deri në 90% të vlerës, jo më shumë se 560 euro”, u shpreh Rizvanolli.
Ajo ka bërë të ditur se afati për aplikim në fazë e parë është i hapur nga sot, 18 nëntor 2022 deri më 25 nëntor 2022, ndërsa afati i fundit për fazën e dytë është 9 dhjetor 2022.
Sa i përket aplikimeve në thirrjen e parë të 6 tetorit, Rizvanolli ka bërë të ditur se kanë aplikuar 5,992 qytetarë, prej të cilëve në fazën e dytë kanë aplikuar 2 377 qytetarë.
“40% e atyre që kanë aplikuar në fazën e parë e kanë vazhduar aplikimin në fazën e dytë. Do të finalizohen 2 228 marrëveshje, pra 2 228 qytetarë kanë përfituar, duke arritur vlerën prej 1 435 800 euro”, ka bërë të ditur Rizvanolli, teksa tha se synim kanë pasur përfshirjen e gjithë qytetarëve.
“Mendoj që po, jam e lumtur sesi janë përgjigjur qytetarët dhe ka pasur një numër rekord të përfituesve. Procesi ishte i lartë sepse nuk kishte procedura të larta për të aplikuar. Komisionet kanë bërë një punë fantastike dhe kanë shkuar përtej punës së tyre dhe kanë bërë një punë shtesë”, tha ajo.