“Është misioni më i rëndësishëm politik e nacional sot”. Ish-kryediplomati Skënder Hyseni ka thënë se është alarmante politika e presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, duke e quajtur atë “izolacioniste”.
Për këtë ai ka thënë se duhet krijimi i një fronti të përbashkët opozitar për të kundërshtuar “politikat rrënuese” të Albin Kurtit dhe “noterës së tij” Vjosa Osmani.
“Është thirrje dhe alarm për të parandaluar rrëshqitjen e Kosovës në izolim të plotë. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, me politikën e tyre të rrezikshme dhe izolacioniste po shkatërrojnë çdo gjë që me aq mund është ndërtuar gjatë tri dekadave të fundit në Kosovë”.
Hyseni ka shkruar se është koha e fundit që opozita parlamentare, PDK, LDK dhe AAK, në rend të parë por edhe ajo jashtëparamentare e sociale të rreshtohen qartë dhe pa kalkulime kundër populizmit neokomunist të Kurtit dhe Osmanit.
“Pozicionimi konformist i Krasniqit dhe Abdixhikut, në pritje të gabimeve rrënuese të Kurtit është i papranueshëm. Ato gabime mund të jenë të pareparueshme! Kosova është shtet, mbi të gjitha falë përkrahjes së pakursyer e vendimtare të botës dhe demokracive perëndimore me në krye SHBA-të! Qeveria e Kosovës duhet patjetër të pranojë rekomandimet e partnerëve të vendit tonë që të mos mbetet peng i lojërave me targa. Opozita duhet të jetë e qartë dhe me zë të lartë të kundërshtojë lojërat mashtruese politike të Kurtit. Ndryshe, të gjithë së bashku po futen thellë e më thellë në grackat e politikës diverzive serbe”.
Sipas Hysenit, rruga e vetme përpara është forcimi i partneritetit dhe komunikimi e koordinimi sistematik me SHBA-në dhe vendet tjera të QUINT-it.
“Dialogu me Serbinë dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërshtetërore me njohje të ndërsjellë është dhe duhet të jetë prioritet mbi të gjitha prioritet i çdo partie politike në Kosovë”.