“Duke marrë parasysh kushtet klimatike që mbizotëruan këtë sezonë vjeshte në vendin tonë, realizimi i mbjelljeve vjeshtore është ende duke vazhduar dhe tani është në fazën përfundimtare, duke arrit kështu realizimin prej 95% të planifikuara, e që mund të vazhdohet tutje me mbjellje por me sugjerim që tani e tutje të shtohet norma e farës dhe e plehut rreth 10%. Sa i përket sipërfaqeve të mbjella me drithëra në këtë sezonë, mund të japim me saktësi vetëm pas përfundimit të mbjelljeve dhe pranimit të raporteve zyrtare nga DKB-të për sip. e mbjella me kultura vjeshtore, e që pritet që ky raport të jetë i gatshëm në ditët e para të muajit dhjetor”, thuhet në përgjigjet nga MBPZHR.
Mbjelljet vjeshtore të sivjetshme që tani mund të konsiderohen të suksesshme. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, deri më tani janë mbjellë diku rreth 95% të sipërfaqeve të planifikuara për këtë vit. Kjo i bie se nga 80 mijë hektarët e planifikuar për mbjellje vjeshtore, tashmë mbjelljet kanë përfunduar deri diku mbi 75 mijë hektarë të mbjella. Nga gjithë kjo sipërfaqe, vetëm me grurë kanë qenë të planifikuara të mbillen rreth 70 mijë hektarë.
Muaji tetor dhe nëntor në sektorin e bujqësisë, rëndom njihen si muajt kur fillohet dhe mbarohet me mbjelljet vjeshtore.
Gjatë këtij viti, në gjithë territorin e Kosovës është planifikuar që të mbillen rreth 80 mijë hektarë me drithëra, si: gruri, elbi, thekra dhe bimët foragjere. Prej gjithë kësaj sipërfaqeje, vetëm me kulturën e grurit është paraparë që të mbillen rreth 70 mijë hektarë. Shifra përafërsisht të njëjta, përcjellin të mbjellat vjeshtore në Kosovë qe disa vite rresht.
Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, në mbjelljet e sivjetshme, përpos kushteve të favorshme klimatike (lagështi të mjaftueshme), në proces kanë ndikuar edhe të gjitha përgatitjet me kohë nga ana e MBPZhR-së, si:pajisja me licencë e kompanive për importimin, tregtimin dhe shumëzimin e farës, si dhe importimin dhe tregtimin e plehrave artificiale dhe regjistrimi i varieteteve të reja të grurit, si dhe regjistrimi i llojeve të reja të plehrave artificiale.
Nga Ministria e Bujqësisë kanë pohuar për Buletinin Ekonomik se realizimi i mbjelljeve vjeshtore në Kosovë është ende duke vazhduar dhe se tani procesi i mbjelljeve është në fazën përfundimtare, duke u arritur kështu realizimi prej 95% të sipërfaqeve të planifikuara sivjet për kulturat vjeshtore. Sipas tyre, mund të vazhdohet edhe më tutje me mbjellje por me sugjerim që të shtohet norma e farës dhe e plehut për rreth 10%.
Në rendimentin e secilës kulturë bujqësore, njëherësh edhe në kulturën e grurit, ndikojnë një grup faktorësh dhe nëse ndonjëri prej tyre nuk është i favorshëm gjatë atij viti të kultivimit, ndikon drejtpërdrejt në rendiment. Prandaj, për të arritur rendimente sa më të larta, ministria në fjalë rekomandon që t’i kushtohet vëmendje e veçantë sidomos aplikimit të masave agroteknike gjatë kultivimit, përdorimit të farës cilësore, plehërimit themelor, ri-plehërimit, masave mbrojtëse kundër sëmundjeve dhe dëmtuesve, etj.
Sa i përket subvencionimit, Ministria e Bujqësisë ka paralajmëruar edhe më herët se do ta vazhdojë njësoj si gjatë vitit të kaluar mbështetjen e saj për fermerët për mbjelljet vjeshtore, si kulturën e grurit, elbit dhe thekrës përmes Programit për Pagesa Direkte.
“Edhe këtë vit Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të mbështesë (subvencionojë) fermerët për mbjelljet vjeshtore (kulturën e Grurit, Elbit dhe Thekrës) përmes Programit për Pagesa Direkte”, thuhet në disa përgjigje të mëhershme të ministrisë.
Ndërsa, kësaj radhe, nga kjo ministri thonë se qëllimi i përkrahjes nga ana e MBPZhR-së përmes Programit të Pagesave Direkte është shtimi i sipërfaqeve të kultivuara, si dhe rritja e rendimentit, duke marrë në konsideratë se drithërat janë kulturë një vjeçare dhe numri i sipërfaqeve të mbjella/kultivuara ndryshon nga viti në vit dhe varet nga disa faktorë.
“Për fat të mirë, bazuar edhe në të dhënat statistikore vërehet se nga viti në vit ka shtim të interesimit nga ana e fermerëve të merren me bujqësi me një tendencë të lehtë të zgjerimit të sip. të kultivuara/mbjella”, shtojnë tutje nga ministria.
Subvencionet në Kosovë sivjet kapën vlerën e 474 eurove për hektar, përfshirë këtu edhe shpenzimet për pleh dhe naftë.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë në Kosovë, përkatësisht Programit për pagesat direkte 2021, për një hektar sipërfaqe të kultivuar me grurë, fermerët e Kosovës janë subvencionuar me 150 euro.
Qeveria e Kosovës gjatë këtij viti, pati marrë vendim që fermerëve dhe bujqve t’iu subvencionohet edhe nafta në vlerë prej rreth 5 milionë euro. Subvencionimi u bë në vlerën prej rreth 0.36 centë për litër naftë, të përllogaritur me hektarë të poseduar të tokës së punuar.
Ndryshe, sipas njohësve të ekonomisë bujqësore në Kosovë, nevojat e popullatës për grurë në Kosovë zakonisht plotësohen vetëm 50 për qind, kurse përqindja tjetër e konsumit kryesisht plotësohet nga importi.
Ndërsa, sivjet pak para fushatës së korrje-shirjeve të të mbjellave të vitit 2021, nga Ministria e Bujqësisë patën thënë se presin që kërkesat e qytetarëve këtë vit të plotësohen deri në 70 për qind, gjë që nga njohësit e fushës dhe fermërët, u pa si e pamundshme, për shkak edhe të cilësisë së dobët të grurit këtë vit që po e lëmë pas.
Sipas përfaqësuesve të bujqve dhe mullistëve, faktorët që kanë ndikuar në cilësi më të dobët të grurit sivjet kanë qenë kushtet e pafavorshme klimatike dhe plehërimi jo i duhur, për shkak të rritjes së çmimit të plehut artificial.
Në anën tjetër, gjatë tri viteve të kaluara, sipërfaqet e mbjellura me grurë në Kosovë kanë qenë më të ulëta sesa planifikimi që është bërë për sivjet.
Kështu, vitin e kaluar (2021), në Kosovë kanë qenë të mbjellura gjithsej 66. 159 mijë hektarë me grurë, rendimenti i të cilave u sill nga 3 mijë e 500 deri në 4 mijë e 500 kilogramë, gjatë vitit 2020, kanë qenë të mbjellura gjithsej 62 hektarë tokë me grurë, me rendiment deri në 4 mijë kg, ndërsa më 2019 vetëm 50 mijë hektarë.
Në krahasim me vitet që i përmendëm më lartë, gjatë vitit 2017 dhe 2018, sipërfaqja e mbjellur me grurë në Kosovë ka qenë dukshëm më e lartë. Gjatë vitit 2017, në vend kanë qenë gjithsej 80 mijë hektarë të mbjellur me grurë, ndërsa më 2018 gjithsej 74 mijë.