“Unë vetëm mund t’u rekomandoj qeverive të shteteve anëtare që të mos e lidhin liberalizimin e vizave me tensionet në veri të Kosovës. Këto tensione janë krijuar dhe organizuar nga grupet e krimit të organizuar të kontrolluara nga Beogradi”, tha Mandl. Ai shtoi se tensionet në këtë pjesë janë krijuar dhe organizuar nga grupet kriminale që kontrollohen nga Beogradi.
Në takimin e sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, është hequr nga rendi i ditës propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili parasheh lëvizjen e lirë jo më larg se data 1 janar e vitit 2024.
Arsyet për këtë veprim u thanë që janë politike dhe lidhen me situatën në veri të Kosovës, dhe se diskutimi i radhës për këtë do të mbahet më 30 nëntor.
Lidhur me këtë veprim të BE-së, eurodeputeti austriak Lukas Mandl në një prononcim ka thënë se liberalizimi i vizave nuk bën të lidhet me tensionet në veri të Kosovës.
Duke folur për situatën në veri të Kosovës, Mandl tha se edhe Beogradi do të duhet të kontribuojë në deeskalim në vend të përshkallëzimit të situatës.
“Largimi i Vuçiq nga negociatat është përsëri një akt përshkallëzimi nga ana e tij. Ai nuk ka të drejtë morale për ta bërë këtë. Ai ka detyrimin moral të kontribuojë në de-përshkallëzimin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë. Nuk ka absolutisht asnjë lidhje mes kësaj dhe liberalizimit të vizave”, u shpreh eurodeputeti Lukas Mandl.
Eurodeputeti austriak i cili shumë herë deri më tani ka bërë thirrje dhe e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën, ka thënë se BE-ja duhet t’i mbajë premtimet.
“Udhëtimi pa viza për popullin e Republikës së Kosovës është i vonuar. BE-ja duhet t’i mbajë premtimet e veta. Pakica e vogël e qeverive të shteteve anëtare që po bllokojnë të gjithë procesin, u rekomandoj që të tërhiqen nga kjo bllokadë dhe të lejojnë që populli i Kosovës të udhëtojë siç bëjnë njerëzit e pesë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. I rekomandoj shumë Këshillit që të vendosë shpejt për këtë pozitivisht, pa vonesa të mëtejme”, tha Mandl për Telegrafin.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar, për shkak të vendimit të Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave që bartin targa ilegale serbe.
Serbët në veri, të kontrolluar në masë të madhe nga Beogradi zyrtar, i kundërshtojnë targat e Kosovës, RKS, dhe kanë paralajmëruar rezistencë ndaj tyre.
Me gjithë thirrjet e komunitetit ndërkombëtar për shtyrje të procesit të riregjistrimit, Kurti nuk ka hequr dorë.
Aktualisht është e pezulluar – deri më 24 nëntor – faza e dytë e planit të tij, në përpjekje për t’i dhënë shans gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët.