Vazhdon “beteja” LVV-Borrell, Bajqinovci: Si ka mundësi kjo?

Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci, ka bërë një analizë rreth zhvillimeve të fundit sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, teksa ka vazhduar “betejën” virtuale me kryediplomatin evropian, Josep Borrell, i cili të hënën kritikoi dhe qortoi Kosovën për mos-konstruktivitet si palë e bisedimeve.

Por, sipas tij, pas prezantimit të kryeministrit Albin Kurti sot për krejt atë që paska ndodhur gjatë takimeve në Bruksel, “pyetja kryesore e të gjithëve, përfshirë edhe shteteve anëtare të BE-së, për ndërmjetësuesit duhet të ishte; si ndodhi që Borrell u pajtua me Serbinë që nga deklarata e përbashkët të largohet paragrafi në të cilin flitej për angazhimin drejt realizimit të Propozimit të Bashkimit Evropian, i ashtuquajtur si Franko-Gjerman, por jo me Kosovën që insiston që ky paragraf të mbetet?”.

Rrjedhimisht, ai shtoi se si ndodhi që pajtua me Serbinë që të injorohet propozimi i Bashkimit Evropian, por jo me Kosovën që e konsideron si bazë të mirë për diskutim.

Ai gjithashtu ka pyetur se si ka mundësi që Kosova ta mbrojë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi sesa vetë Borrell.

“Si ndodhi që përballë Serbisë propozimin e Bashkimit Evropian, që po mbështetet nga Gjermania, Franca dhe ShBA-ja ta mbrojë më shumë Kosova se sa vet përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian”, përfundoi Bajqinovci në Facebook.

Ky nuk është shkrimi i vetëm i Bajqinovcit karshi evropianëve, pasi ditë më parë ai diplomatin spanjoll e ka quajtur “Vorrell”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.