“Edhe pse nuk ka informacion nga Qeveria për marrëveshje për targat, unë besoj se edhe ky element është diskutuar mes palëve! Unë së paku kështu mendoj!”, ka thënë ai.
Ish – ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, që aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovë, po dyshon se në Bruksel është diskutuar edhe çështja e kthimit në punë e serbëve të Veriut, përfshirë këtu policët, gjyqtarët, prokurorët dhe disa të tjerë.
Veliu ka thënë se kjo çështje është diskutuar në momentin kur është arritur marrëveshja për targat.
Policë, gjyqtarë e prokurorë e staf administrativ u tërhoqën nga vendet e tyre të punës në institucionet e Kosovës pasi që iu “mbeti hatri” me vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat ilegale “KM”, “PR”, “PZ” e të tjera , vendim ky që ‘ra në ujë’ pas një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë në Bruksel.
Por a duhet dhe si mund të kthehen serbët e veriut në institucionet atje? Agim Veliu ka qenë fare i shkurtër në këtë përgjigje, duke thënë se nëse serbët në polici, gjyqësor dhe prokurori duan të kthehen në vendet e punës që kishin më parë, është kryekëput në dorën e Qeverisë së Kosovës, që drejtohet nga Albin Kurti.
“Për sa i takon formës së kthimit të atyre qe i kanë lëshuar institucionet, për atë duhet të vendosë Qeveria!”, vlerëson Veliu.