“A ishte ai atje për të pranuar krimet që Serbia i ka kryer në Ballkan dhe për të kërkuar falje për to, apo ishte prezent në cilësinë e ekspertit? Ivica Daçiq ishte pjesë e një regjimi politikë e të cilit ishte përdhunimi i grave kosovare. Kjo ftesë është në kundërshtim me punën e zellshme përgjatë një dekade që Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e ka bërë për të ndihmuar viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që të tejkalojnë traumat e tyre dhe t’i japin fund këtij krimi të tmerrshëm”, ka shkruar Jahjaga.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka reaguar lidhur me prezencën e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq në Konferencën Ndërkombëtare për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, që u mbajt në Londër.
Jahjaga është shprehur e habitur me organizatorët e kësaj konference që i kanë bërë ftesë dhe i kanë dhënë platformë Daçiqit, zëdhënësit dhe bashkëpunëtorit të Slobodan Millosheviqit, përderisa viktimat e politikave të tij ishin të ulura në audiencë.
Kujtojmë se prezentë në këtë konferencë ka qenë edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla e cila refuzoi të përgjigjet në pyetjen për viktimat e dhunës seksuale, pasi që para saj për këtë temë ishte ftuar të flas ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, e për të cilin Gërvalla tha se është një nga autorët e këtyre krimeve, si dora e djathtë e diktatorit Slobodan Miloseviq.
Ndaj prezencës së Daçiqit në këtë konferencë ka pasur reagime të ndryshme edhe në Twitter.