“Vlerësimi është rreth 400, midis 400 dhe 500. Unë nuk kam një numër të saktë, është diçka që është diskutuar. Edhe një vdekje është shumë, kjo është thjesht kështu”, citohet të ketë thënë Al-Thawadi (pozita e të cilit përshkruhet si sekretari i përgjithshëm i Komitetit Suprem për Dorëzimin dhe Trashëgiminë – organizata përgjegjëse për koordinimin midis enteve publike dhe private për të siguruar që projektet e infrastrukturës dhe zhvillimit të dorëzohen në gatishmëri për FIFA Kampionatin Botëror 2022).
Shefi i Kampionatit Botëror në Katar, Hassan Al-Thawadi, për herë të parë ka konfirmuar se qindra punëtorë emigrantë kanë vdekur gjatë punimeve ndërtimore të lidhura me turneun. Bëhet fjalë për, siç tha ai, 400 deri në 500 punëtorë, që është një numër pakrahasueshëm më i madh se ai që kishin deklaruar më herët zyrtarët e Katarit.
Në një intervistë me Piers Morgan që u transmetua në TalkTV të hënën, Al-Thawadi u pyet për numrin e vdekjeve të punëtorëve emigrantë si rezultat i punës në lidhje me Kampionatin Botëror.
“Mendoj se çdo vit standardet e shëndetit dhe sigurisë në kantieret e ndërtimit po përmirësohen, të paktën në kantieret tona të ndërtimit, kantieret e Kampionatit Botëror, ato për të cilat ne jemi përgjegjës. Absolutisht”, është shprehur tutje.
Më herët në nëntor, një zyrtar qeveritar i tha CNN se kishte pasur tre vdekje të lidhura me punën në stadiumet e Kampionatit Botëror dhe 37 vdekje jo të lidhura me punën në vet kantieret e ndërtimit të stadiumit. Këto shifra i përsëriti edhe një zëdhënës i Komitetit Suprem për Dorëzimin dhe Trashëgiminë në Katar.
The Guardian, nga ana tjetër, raportoi vitin e kaluar se 6.500 punëtorë emigrantë nga Azia Jugore kishin vdekur në Katar që kur vendit iu dha Kampionatit Botëror në vitin 2010 dhe se shumica e punëtorëve të vdekur ishin përfshirë në punë të rrezikshme për paga të ulëta, shpesh në nxehtësi ekstreme. Por, ai raport nuk i lidh të gjitha 6.500 vdekjet me projektet e infrastrukturës së Kampionatit Botëror.
Në vitin e kaluar, Al-Thawadi e kundërshtoi shifrën, duke i thënë CNN se figura e The Guardian ishte një titull sensacionalist dhe mashtrues dhe se raportit i mungonte konteksti.
Ndërkohë, një zyrtar i qeverisë së Katarit i tha CNN muajin e kaluar se shifra e 6.500 vdekjeve që i atribuohet Kampionatit Botëror në të vërtetë i referohet të gjitha vdekjeve të punëtorëve të huaj në vend gjatë një periudhe 10-vjeçare.
“Kjo nuk është e vërtetë dhe injoron të gjitha shkaqet e tjera të vdekjes, duke përfshirë sëmundjen, pleqërinë dhe aksidentet e trafikut. Gjithashtu nuk pranon se vetëm 20 për qind e punëtorëve të huaj në Katar janë të punësuar në kantiere ndërtimi”, ka thënë ai.
Sipas Amnesty International, punëtorët emigrantë përbëjnë 90 për qind të fuqisë punëtore totale të Katarit.
Po ashtu, është raportuar se që kur Katarit iu dha Kampionati Botëror në vitin 2010, shumë punëtorë emigrantë janë përballur me paga të vonuara ose të papaguara, punë të detyruar, orë të gjata në temperatura të larta dhe probleme të tjera.