/

Sqarohet gazetari gjerman se pse e hoqi nga intervista deklaratën e Kurtit

“Disa njerëz duket që e konsiderojnë skandal (apo duan ta kthejnë në një të tillë) që ambasadori amerikan në disa momente të caktuara mund ndoshta të di më shumë rreth situatës së sigurisë për një rajon të caktuar ( në këtë rast për veriun e Kosovës) sesa një kryeministër. Por a është ky një skandal”, ka shkruar Martens teksa ka provuar t’iu përgjigjet zërave që reaguan.

Gazetari gjerman i Frankfurter Allgemeine Zeitung përpara se ta nxirrte në publikim intervistën e plotë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kishte vendosur që të publikonte pjesëza të saj duke cituar kreun e Qeverisë së Kosovës.

Megjithatë në tekstin e plotë të intervistës nuk gjendet pjesa me ambasadorin Hovenier dhe informacionet rreth veriut, pjesë kjo që gazetarit gjerman ia shiti intervistën në Kosovë.

Për këtë ai ka dalë me një sqarim të gjatë në profilin e tij në “twitter”.

“SHBA ka kapacitetet më të mëdha të inteligjencës në botë. Shikoni ambasadat e mëdha amerikane në Prishtinë, Shkup, Sarajevë (ose në Kampin Bondsteel). Natyrisht, atje nuk punojnë vetëm diplomatët. Pra, sigurisht që ambasadorët e SHBA-së ndonjëherë kanë informacione që të tjerët nuk e kanë, përfshirë qeveritë”, ka potencuar tutje ai.

Ai tutje ka thënë se për audiencën gjermane nuk është interesante që ambasadori amerikan di diçka që vetë vendi ku shërben si ambasador nuk e di.

Megjithatë Martens thotë se Kurti e ka bërë një deklaratë të tillë dhe thotë se e ka edhe të regjistruar.

“Z. Kurti e bëri këtë deklaratë gjatë bisedës sonë të regjistruar dhe më vonë e autorizoi në transkriptin me shkrim të asaj bisede, të cilën ia dhashë ekipit të tij para publikimit pasi disa nga temat për të cilat folëm (jo pjesa për ambasadorin) ishin potencialisht të ndjeshme”, ka thënë Martens në sqarimin e tij.

Martens thotë se nga pjesa e autorizuar e intervistës ka hequr pjesën me Ambasadorin meqë sipas tij Kosova s’është ndonjë çështje e madhe në Gjermani.

Sipas tij, s’ka nevojë për teori konspirative.

“Meqenëse intervista ishte shumë e gjatë (mbani parasysh se Kosova nuk është një çështje e madhe në Gjermani), unë hoqa disa pjesë nga versioni i autorizuar që ishin më pak me interes për lexuesit tanë. Mes tyre ishte edhe pjesa për ambasadorin amerikan. Kjo eshte e gjitha. Nuk ka nevojë për teori konspirative”, ka përfunduar Martens./GazetaExpress/

Leave a Reply

Your email address will not be published.