“Kur i dëgjon pozicionimet e qeverisë të krijohet përshtypja që jeton në një univers paralel… Kryeministri foli për siguri e luftë ndaj krimit, ndërsa derisa flasim 17 për qind e territorit është pa polici, gjyqtar e prokuror… Një aksident rrugor nuk mund ta zgjidhin në veri, një dhunë në familje s’ka kush ta trajtojë në veri. Me çka mbahet shteti? Me fjalime prej Prishtinës”, tha i pari i LDK-së.
Situata në veri dhe mungesa e policëve e gjyqtarëve në institucione janë bërë shkak që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, të përplasen verbalisht në interpelancën e Kuvendit.
Në interpelancën ndaj kryeministrit Kurti lidhur me situatën në vend, të thirrur nga deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Abdixhiku tha se derisa flasin në Kuvend 17 për qind e territorit është pa polici, prokuror, gjyqtar e shërbime bazike komunale, shkruan Telegrafi.
Ndaj këtyre deklaratave reagoi Kurti, i cili tha se Kosovës i duhet serbët në institucione, por jo të tillë që japin dorëheqje sa herë që marrin urdhër nga Beogradi.
Ai tutje u shpreh se situata në veri asnjëherë nuk ka qenë stabile, por në disa raste siç tha kryeministri, është kamufluar.
“Situata në veri të Kosovës nuk ka qenë normale edhe pse serbët kanë qenë duke punuar aty. Situata nuk është abnormalizuar tani, por ka qenë gjithmonë vetëm se nganjëherë është kamufluar”.
“Neve na nevojiten serbët në institucione, por jo serbë që japin dorëheqje me urdhër të Beogradit. Mbushja e institucioneve me serbë që me një thirrje të Boegradit japin dorëheqje nuk është shtet ndërtim demokratik, por vetëmashtrim i yni”.
Kreu i ekzekutivit tha se nuk është e vërtetë që në veri nuk ka policë. Sipas tij, në çdo ndërtesë ka policë dhe në rrugë po ashtu.