Vrasja e 35-vjeçares, Albin Kurti tregon kush duhet të japë dorëheqje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se i gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë në rastin e vrasjes së 35-vjeçares shtatzënë duhet të japë dorëheqje.

Kurti thotë se sot pasdite ka aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje.

Ndër kërkesat ka përmendur edhe ndarjen urgjente të buxhetit për zbatim të Ligjit për mbikëqyrjen elektronike të personave që u kufizohet lëvizja me vendim gjykate.

“Sot pasdite kam aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, pas takimit të sotëm të tyre, për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjës së saj të palindur. Në bazë të përgjegjësive që mbartin institucionet përkatëse, po bëhet: inspektimi i punës së zyrtarëve policor, përfshirë zbatimin e urdhrit mbrojtës; inspektimi i punës së zyrtarëve në Qendrën për Punë Sociale; inspektimi i punës së zyrtarëve në repartin e gjinekologjisë në QKUK; ndarje urgjente e buxhetit për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës; dhe, në rastet e caktimit të urdhrit mbrojtës të bëhet bastisje e shtëpisë së personit të dyshuar”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Sipas tij, i gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje.

35-vjeçarja është vrarë të mërkurën para objektit të Klinikës Gjinekologjike nga, ish-burri i saj. E ndjera ishte shtatzënë. Ajo kishte urdhër për mbrojtje nga Gjykata Themelore e Ferizajt deri në mars të 2023.

Policia ka njoftuar se i kanë kontrolluar disa lokacione por që i dyshuari akoma nuk është kapur.

Leave a Reply

Your email address will not be published.