/

FIFA inicion edhe një procedurë disiplinore ndaj Serbisë

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) ka nisur procedura disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, lidhur me dyshimet për shkelje gjatë ndeshjes me Zvicrën.

Ndeshja ndërmjet Zvicrës dhe Serbisë, që u luajt më 2 dhjetor në kuadër të Kupës së Botës, u përshkua me tensione.

Në ndeshjen e mbajtur në Katar, ka pasur përplasje midis lojtarëve serbë dhe kapitenit të Zvicrës, Granit Xhaka.

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka dërguar ankesë në FIFA për shkak të, siç tha më 4 dhjetor, “fyerjes së rëndë të trajnerit të përfaqësueses së Serbisë”, si dhe “veprimeve raciste të tifozëve serbë” gjatë ndeshjes Zvicër-Serbi.

“Komiteti disiplinor i FIFA-s ka nisur procedurë kundër Federatës së Futbollit të Serbisë, për shkak të shkeljes së mundshme të nenit 12 [sjellja e pahijshme e lojtarëve dhe zyrtarëve], nenit 13 [diskriminimi] dhe nenit 16 [rendi dhe siguria e ndeshjes] të Kodit Disiplinor të FIFA-s, në lidhje me incidentet gjatë ndeshjes midis Serbisë dhe Zvicrës, që u mbajt më 2 dhjetor në kuadër të Kupës së Botës”, u tha në njoftimin e FIFA-s.

Sipas nenit 12 të Kodit Disiplinor, lojtarët dhe zyrtarët mund të ndëshkohen me suspendim për një ndeshje shkaku i sjelljes josportive apo për tri ndeshje për sulm fizik ndaj një lojtari apo personi tjetër.

Neni 13 thotë se kushdo që ofendon dinjitetin apo integritetin e një vendi, personi apo një grupi njerëzish përmes shprehjeve apo veprimeve diskriminuese ose nënçmuese mund të ndëshkohet me “suspendim prej të paktën dhjetë ndeshjeve ose për një periudhë specifike”.

Ndërsa, nëse tifozët shfaqin sjellje si ajo e përshkruar më lart, Federata përgjegjëse ndëshkohet me zhvillimin e një ndeshjeje me një numër të kufizuar të tifozëve dhe një gjobë prej të paktën 20 mijë frangash. Nëse një shkelje e tillë ka ndodhur edhe më parë, atëherë mund të merren vendime më të rënda – nga ulja e pikëve e deri te përjashtimi nga ndonjë garë.

Sipas nenit 16 të kodit disiplinor të organit qeverisës të futbollit botëror, Federatat dhe klubet konsiderohen përgjegjëse për sjelljen e tifozëve të tyre edhe nëse dëshmojnë se nuk ka pasur neglizhencë nga ana e tyre sa i përket organizimit.

FFK në reagimin e saj ka kërkuar që FIFA të hetojë dhe sanksionojë Federatën serbe të Futbollit, duke argumentuar se thirrje raciste janë dëgjuar gjatë tërë ndeshjes.

“Ekipe dhe tifozë me sjellje e filozofi të urrejtjes së njeriut për njeriun nuk do të duhej të kenë vend në ngjarje kaq të rëndësishme sportive siç është Botërori ‘Katari 2022’”, tha FFK-ja.

Kjo është procedura e dytë disiplinore që FIFA inicion ndaj Serbisë. Në nëntor, pas një ankese të FFK-së, FIFA hapi procedurën disiplinore për shkak të shfaqjes së një flamuri në zhveshtoren e përfaqësueses së Serbisë, me hartën e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb dhe me mbishkrimin “S’ka dorëzim”.

FIFA citoi një pjesë të kodit të saj disiplinor që mbulon sjelljen e pahijshme, duke përfshirë “gjestet, shenjat ose gjuhën fyese” dhe “përdorimin e një ngjarjeje sportive për demonstrime të një natyre josportive”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.