Ministrja Haxhiu: Zhduken mostrat e Astrit Deharit nga laboratori i Toksikologjisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka njoftuar se janë zhdukur mostrat e gjakut, urinës e lukthit të aktivistit të vdekur të LVV-së, Astrit Dehari.

Ato kanë qenë të ruajtura në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku ajo thotë se kanë pasur qasje vetëm tre persona, duke mos i përmendur me emra ata, por tha se i di emrat e tyre.

“Mbrëmë në orët e vona jam njoftuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga laboratori i toksikologjisë në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ky është një rast i rëndë, rast kriminal. E kam njoftuar mbrëmë kryeprokurorin e shtetit, Besim Kelmendin, dhe drejtorin e Policisë, Fehmi Hotin. Sot në mëngjes e kam vizituar IML-në dhe jam njoftuar si në vijim: Në mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit. Nga këto, dy epruveta me gjak ia ka dhënë institutit zviceran dhe një policisë për ADN. Aktualisht, sipas informacioneve, sepse unë nuk kam qasje në vendin ku ruhen mostrat, mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit. Në vendin ku ruhen epruvetat kanë qasje vetëm 3 persona, vetëm ata i kanë çelësat”, theksoi ministrja e Drejtësisë.

Ajo tha se çdokush që ka ndjekur sadopak rastin ndaj Astrit Deharit, “e ka të qartë se prej 6 vitesh të gjitha të dhënat, provat e dëshmitarët, është synuar të shtrembërohet, zhduket apo eliminohet. Njëjtë ka ndodhur edhe me këdo që ka pasur vullnet për ta zbardhur rastin”.

“Kujtojmë këtu rastin e mjekëve, ekspertëve, që përgatitën raportin e veçantë mbi gjetjet e raportit të autopsisë që kishte përgatitur IML-ja”.

“Ne besojmë se ky akt i rëndë e kriminal që ka ndodhur në ambientet që do të duhej të ishin të sigurta, ka një motiv si më herët: t’i dëmtojë edhe më tej dhe përfundimisht këtë proces, si dhe të tentoj ta na vesh neve me përgjegjësi”.

“Ky akt i rëndë është vërejtur dje gjatë bartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në të rinjtë, por jam e bindur se ka qenë çështje kohe që ata që e kanë orkestruar do ta plasonin si një veprim dëmtues të procesit në përgjithësi”, deklaroi Haxhiu.

Ajo tha se kjo situatë vendos hije dyshimi në gjithë IML-në, por edhe në veprimtarinë e tij, “jo vetëm për të tashmen, por veçanërisht në të kaluarën”.

“Autorët do të gjenden dhe rasti do të zbardhet”, theksoi ndër të tjera ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Leave a Reply

Your email address will not be published.