Përfaqësuesi gjerman për Ballkanin Perëndimor: Kriza në veri të shfrytëzohet për ta çuar dialogun përpara

Përfaqësuesi i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, mendon se kriza në veri të Kosovës duhet të shfrytëzohet si mundësi për ta nxitur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë një diskutimi virtual të organizuar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington, Sarazin shprehu zhgënjimin që Procesi i Berlinit nuk ka arritur të prodhoj rezultate më të mëdha, raporton Zëri i Amerikës.

“Ta shfrytëzojmë këtë krizë si një mundësi për ta çuar dialogun përpara duke marrë parasysh propozimin evropian me të cilin po punojnë zoti Lajçak, zoti Borell dhe kancelari gjerman së bashku me presidentin francez. Kjo është një mundësi e madhe që duhet shfrytëzuar, në vend që këto vende t’i hapin gropa njëri-tjetrit duke rrezikuar që i gjithë rajoni të bjerë brenda tyre”, tha Sarrazin gjatë diskutimit.

Përfaqësuesi gjerman theksoi se Procesi i Berlinit që kishte si objektiv forcimin e lidhjeve mes Ballkanit Perëndimor dhe disa vendeve të BE-së, u rigjallërua me qeverinë e re gjermane dhe me nisjen e luftës në Ukrainë. Por, Sarazin u shpreh i zhgënjyer që kjo atmosferë pozitive, nuk solli më shumë rezultate pozitive për rajonin.

“Ndoshta kemi arritur të rigjallërojmë procesin e Berlinit, dhe duhet ta vazhdojmë atë, por unë shpresoja që kjo atmosferë pozitive të sillte më shumë rezultate në lidhje me tema të nxehta. Por, ende kemi kohë, ndaj le të qëndrojmë optimistë dhe besnik idesë që nganjëherë duhet të bëjmë edhe hapa të vegjël, si ajo me lëvizjen e lirë apo çmimet e thirrje telefonike ‘roaming’ që u arrit në Tiranë dhe të mos harrojmë t’i zbatojmë këto hapa të vegjël”, tha Manuel Sarrazin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.