Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Bochan-Kharchenko, ka urdhër të ndërmarrë hapa konkretë për situatën në veri të Kosovës.
Më tej ajo, thekson se Moska është në pritje të përgjigjes nga Beogradi.
“Sa i përket ambasadës në Beograd, ambasadori rus në Serbi, i cili është në kontakt të ngushtë me lidershipin serb, ka marrë udhëzime nga qendra për të ndërmarrë hapa konkretë të mbështetjes, që konsistojnë në normalizimin apo propozimin e mënyrave për normalizimin e situatës. Ne presim reagimin e Beogradit”, tha ajo, raportoi Sputnik.
Në veri të Kosovës, serbët që protestojnë për arrestimin e ish-pjesëtarit të policisë së Kosovës, Dejan Pantiç, janë në barrikada për të gjashtën ditë. Policia e Kosovës ka ndaluar kalimin e automjeteve dhe të këmbësorëve në vendkalimet Jarinje dhe Bërnjak.
Ndërkohë ditën e sotme, qeveria e Serbisë do të mbajë një mbledhje sonte në orën 20:00 në të cilën zyrtarisht do të miratohet kërkesa e Beogradit për të kërkuar kthimin e ushtrisë dhe policisë sonë në Kosovë nga KFOR-i në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Komandës së misionit ushtarak ndërkombëtar do t’i dërgohet një dokument, për të cilin pala serbe thotë se ka të drejtë absolute, duke pasur parasysh se as KFOR-i dhe as EULEX-i nuk kanë bërë shumë për mbrojtjen e popullit serb.
Dispozita e Rezolutës 1244, e cila ka të bëjë me kthimin e forcave serbe të sigurisë, është formuluar në atë mënyrë që nënkupton obligimin e KFOR-it për të mundësuar hyrjen e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.
Ditët e fundit, shefja e diplomacisë gjermane, Analena Berbock dhe i dërguari i presidentit amerikan, Gabriel Escobar, janë shprehur hapur kundër kësaj ideje, e cila shkel drejtpërdrejt normat e së drejtës ndërkombëtare dhe të Kombeve të Bashkuara.