“Darkën e kaluam së bashku në Bërnjak”/ Një lokal në Prishtinë u dërgon ushqim policëve në veri, Sveçla publikon fotot

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se një lokal në Prishtinë ka përgatitur ushqim për zyrtarët policorë që janë në veri.

Ai ka shtuar se darkën e kanë kaluar me zyrtarët policorë në Bërnjak.

“Një nga lokalet e Prishtinës, si shumë biznese e familje bujare, dje ka përgatitur ushqim për zyrtarët tanë policor që po angazhohen në veri, në mbrojtje të vendit tonë. Darkën e kaluam së bashku me zyrtarët policor në Bërnjak të cilët, si gjithë të tjerët, me moral të lartë e me përkushtim po punojnë sipas misionit të tyre në ofrimin e sigurisë e në mbrojtjen e sovranitetit e integritetit territorial të vendit tonë”, shkruan ai.

Tutje Sveçla ka shkruar se po koordinohet me partnerët ndërkombëtar për heqjen e barrikadave.

“Ndërsa, nga qytetarët e kësaj zone që janë bllokuar nga barrikadat tash e një javë po kërkohet me ngulm heqja e barrikadave dhe vazhdimi i jetesës dhe zhvillimit pa pengesa. Çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave të ngritura nga grupe të armatosura e kriminale është i tepërt. Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për ti larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat. Veriu i vendit tonë, si çdo cep i Republikës sonë duhet të kthehet sa më shpejtë në normalitet”, ka përfunduar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.