Xhabir Zharku i mohon akuzat për korrupsion: Ju garantoj se jam i pafajshëm

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të enjten ka përfunduar gjykimi ndaj ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku, i cili akuzohet për korrupsion, ku prokurori Rasim Maloku kërkoi që ndaj të akuzuarit të shpallet aktgjykim dënues. Në anën tjetër, mbrojtja kërkoi lirimin e tij nga akuza.

Prokurori Rasim Maloku ka kërkuar nga trupi gjykues që ndaj të akuzuarit Zharku të shpallë aktgjykim dënues, ndërsa fjalën përfundimtare e ka dorëzuar në formë të shkruar, ku sipas tij aty ka paraqitur të gjithë historikun e kësaj çështje penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nga dëgjimi i dëshmitarëve, seancat gjyqësore dhe provat e kësaj akuze, është vërtetuar në tërësi gjendja faktike si në aktakuzë, i propozoj trupit gjykues që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe t’i jep sanksionin penal sipas ligjit”, ka thënë prokurori Maloku.

Mbrojtësja e të akuzuarit Xhabir Zharku, avokatja Albana Kelmendi, në fjalë përfundimtare tha se organi ndjekës nuk ka mundur të vërtetojë se i akuzuari ka kryer veprat penale si në aktakuzë.

“Ne kemi prit që prokuroria të bëjë rikualifikim të veprës penale, ndërsa me asnjë provë nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer vepër penale, me asnjë provë nuk është dëshmuar dashja, dhe atë dashjen e drejtëpërdrejtë të Xharkut”, ka thënë Kelmendi.

Avokatja Kelmendi tha se mbrojtja kërkon që i akuzuari Zharku të lirohet nga akuza, që sipas të njëjtës ky vendim do të ishte i drejtë dhe ligjor.

I akuzuari Xhabir Zharku në fjalën e tij përfundimtare tha se është plotësisht i pafajshëm.

“Ju garantoj dhe betohem që gjatë karrierës time nuk kam përfituar asnjëherë jashtëligjshëm, unë jam plotësisht i pafajshëm, por verdiktin e kësaj gjykate do ta respektoj”, ka thënë Zharku.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi e ka konsideruar të mbyllur këtë çështje penale, ndërsa shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 16 janar 2023.

Sipas aktakuzës, më 23 tetor 2008 në Kaçanik, Xhabir Zharku, si person zyrtar– kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Dhënies Koncesioneve 02/1,-44, kishte marrë vendim me numër 7311/2008, me të cilin kishte lejuar ndërtimin e objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste në ngastrën kadastrale numër 650 zona kadastrale Kaçanik, pronë e komunës, e cila iu ka dhënë në shfrytëzim të përhershëm NN “Çlirimtarët“, me seli në Kaçanik, sipas të cilës kontratë komuna do të fitonte 20% në vijë vertikale të objekteve banesore, kurse pjesa tjetër e objektit do të ishte pronë në shfrytëzim të përhershëm të NN “Çlirimtarët“, pa i zbatuar procedurat që parashihen sipas Ligjit për Procedurën e Dhënies së Koncesioneve numër 02/1,-44, i cili ka qenë në fuqi.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” nga neni 339, par.1 lidhur me par.3 të Kodit Penal.

Zharku, në vitin 2011, ishte dënuar nga EULEX-i me 3 vjet burgim për veprat penale “Detyrim” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa pas kësaj ishte arratisur nga Kosova, ku kishte jetuar në Suedi e në disa raste kishte marrë pjesë në organizime të institucioneve të Kosovës. Në shtetin skandinav ai kishte jetuar për gati pesë vjet e gjysmë, derisa më 7 qershor 2018, ai ishte kthyer në Kosovë, pasi që kishte kaluar afati i ekzekutimit të dënimit ndaj tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published.