Prokuroria Themelore në Prishtinë, sot informoi se Policia është autorizuar për të grumbulluar informata dhe prova lidhur me audio-incizimin e publikuar ditëve të fundit në një portal vendor për një grant qeveritar.
Prokuroria, me qëllim të ruajtjes së interesit të përgjithshëm për këtë rast dhe të tjera, kërkoi që të mos publikohen prova që e dëmtojnë integritetin e hetimeve.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me audio-incizimin e publikuar ditëve të fundit nga një portal vendor, për një grant qeveritar, se para plasimit të këtyre provave në publik, në Prokurori janë deponuar audio-incizime, për të cilën çështje Prokurori i Shtetit menjëherë ka autorizuar policinë për të grumbulluar informata dhe prova, mirëpo publikimi i provave në opinionin publik që ndërlidhen me këtë çështje, na ka vështirësuar punën hetimore, andaj, me qëllim të ruajtjes së interesit të përgjithshëm të këtij rasti dhe rasteve të tjera në të ardhmen, të cilat janë në fazën e hetimeve, kërkojmë të mos publikohen prova të cilat dëmtojnë integritetin e hetimeve.”, u bë e ditur në komunikatën e Prokurorisë Themelore.