Që nga muajin gusht i vitit të kaluar, Komuna e Prishtinës ka marrë vendim për ndalimin e trotinetëve, biçikletave dhe të gjitha mjeteve me veprim motorik ose elektrik në sheshet e kryeqytetit. Po ashtu është ndaluar lëvizja edhe në vendet ku ka frekuentim të madh të këmbësorëve.
Vendim të njëjtë një muaj më vonë e kishte marrë edhe Komuna e Mitrovicës.
Ndërkaq së fundi edhe Komuna e Pejës ka ndaluar lëvizjen e trotinetëve elektrik në shesh.
Zëdhënësi i Komunës së Pejës, Faik Zekaj, ka thënë se vendimi ka nisur të implemntohet gjatë ditës së hënë.
“Në hyrje të shëtitore janë vendosur shenjat e reja të komunikacionit që thonë: Ndalim i veturave, ndalim i motoçikletave, ndalim i trotineteve”.
Komuna e Pejës bën të ditur se shenjat do të vendosen edhe tek disa vende të tjera ku qarkullojnë këmbësorët.
Dejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Çelë Lamaj ka thënë se kjo komunë nuk ka marrë ndonjë vendim për ndalimin e trotinetëve.
“Jo nuk kemi marr ndonjë vendim për ndalimin e trotineteve. Por me ligj të komunikacionit trotinetet nuk janë paraparë si mjet transportues. Pritet një amandament në Ligjin e Transportit Publik, nëse futet trotineti, atëherë ligji e rregullon këtë pjesë”, ka thënë Lamaj.