/

Kryeziu pas bojkotimit të konferencës nga gazetarët: Interesi publik nuk u vendos në rend të parë

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka arsyetuar vonesat në fillimin e konferencës për media të ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak se pas mbledhjes kishte një takim të brendshëm të kabinetit qeveritar.

“Shprehim keqardhje për atë që ndodhi sot. Vonesat në fillimin e konferencës për media ishin të arsyeshme meqë pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë kishte një takim të brendshëm të kabinetit qeveritar. Mbajtja e konferencës pas mbledhjes së Qeverisë ishte paralajmëruar paraprakisht. Me gjithë konsideratën për punëtorët e medieve që ishin prezent në ndërtesën e Qeverisë, besoj shumë që kjo situatë ka mundur të shmanget”, ka shkruar ai.

Teksa sipas tij, sot nuk pati konferencë për media për shkak se siç tha ai interesi publik nuk u vendos në rend të parë.

“Konferencat për media pas mbledhjes së Qeverisë janë me interes për publikun. Sot nuk pati konferencë për media sepse interesi publik nuk u vendos në rend të parë”, shkroi tutje ai.

Gazetarët e akredituar në Qeverinë e Kosovës e bojkotuan sot konferencën e paraparë të ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në shenjë pakënaqësie me “vonesat e vazhdueshme” të ministrave të kabinetit qeveritar.

Pas mbledhjes së ekzekutivit, ishte paraparë që Murati të mbajë një konferencë shtypi, por gazetarët pasi kanë pritur për gati një orë vendosën të largohen.

Gazetarët e pranishëm kanë shprehur mllefin me mosrepektin ndaj medieve nga kjo qeveri, pasi nuk është hera e parë që gazetarët lihen të presin pa kurrfarë shpjegimi.

Nga ana tjetër, juristja e së drejtës së medieve, Flutura Kusari, i ka përgëzuar gazetarët, fotoreporterët dhe kameramanët që vendosën ta bojktojnë konferencën e qeverisë në Zyrën e Kryeministrit.

“Ju lumtë! Protesta e juaj përmes bojkotimit është kërkesë për t’iu respektuar dinjitetin e juaj dhe profesionin që e keni jashtëzakonisht të vështirë. Kjo është më e pakta që mund të bëjë qeveria për ju”, ka shkruar ajo në Facebookun e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.