Rasti i dhunimit të 11-vjeçares, RrGK: Të ndërmerren masa ndaj prokurorëve

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), sot ka reaguar pas hedhjes së aktakuzës ndaj pesë të dyshuarve të përfshirë në rastin e dhunimit të 11-vjeçares.

RrGK ka potencuar se moshetimi i rastit siç duhet dhe aktakuza jo e duhur nga ana e prokurorisë dërgon në dështime të një pas njëshme institucionale nga të cilat dhunuesit janë të lirë dhe ky neglizhim dërgon në raste recidive.

“Në vazhdën e lajmeve për dhunime dhe vrasje të grave, prokurorët dështojnë që të hetojnë rastet dhe të përpilojnë akuza sipas veprave penale të cilat parashihen në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Andaj, vajzat dhe gratë përveç që duhet të luftojnë dhunuesit, duhet të luftojnë edhe institucionet patriarkale të cilat nuk e trajnojnë me seriozitet jetën dhe dinjitetin e vajzave dhe grave. Dështime të tilla nga ana e prokurorisë dërgojnë në zvarritje të lëndëve penale dhe në dekurajim të viktimave të dhunës me bazë gjinore që ato të paraqesin rastet dhe të kërkojnë drejtësi.”, është bërë e ditur në komunikatë.

Rrjeti i Grave të Kosovës ka kërkuar nga ana e prokurorisë që të bëhet një hetim serioz i veprës dhe të përpilohet kërkesa në mënyrë që dhunuesit të marrin dënimin e merituar.

“Gjithashtu kërkojmë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që të marrë veprimet e duhura lidhur me gjetjen e shkaktarit mbi atë që kemi aktakuza të dobëta që hidhen poshtë nga gjykatat. Në të njëjtën kohë duke marrë edhe masat disiplinore ndaj prokurorëve përkatës. Kjo me qëllim që të krijohet besimi tek ky institucion ngase vazhda e veprimeve të tilla çon në dekurajim të rasteve dhe raportim të tyre nga ana e viktimave të dhunës seksuale.”, ka bërë të ditur tutje RrGK.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur e ka hedhur poshtë aktakuzën e ushtruar ndaj pesë të dyshuarve: E.R. dhe Sh.K, (madhor), si dhe ndaj tre të miturve, të përfshirë në rastin e dhunimit të 11-vjeçares, i cili ka ndodhur në muajin gusht të vitit 2022. Aktvendimi është marrë nga gjyqtari Adnan Isufi, ku sipas tij, aktakuza, përkatësisht propozimi në gjashtë pika është i paplotë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.