AAK-ja kërkon njohjen e stazhit 15-vjeçar të pensionistëve: Ligji për Skemat Sociale është diskriminues

Grupi Parlamentar i AAK-së, së bashku me Shoqatat e Pensionistëve dhe Invalidëve të Kosovës, ka mbajtur tryezën e diskutimit me temën “Ligji për Skemat Sociale të financuara nga shteti, problemet dhe kërkesat për ndryshim”.

Në këtë tryezë u shprehën shqetësime në lidhje me ligjin i cili diskriminon të gjithë pensionistët që nuk përmbushin kushtin 15 vjet përvoje pune para 01.01.1999, si dhe u kërkua ndryshimi i këtij ligji, i cili u cilësua si diskriminim ndaj pensionistëve.

Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të kësaj partie, tha se takimi ka qëllim sensibilizues, duke pasur parasysh se shumica parlamentare nuk po e njeh stazhin e punës së viteve të 90-ta.

“Qëllimi i këtij takimi është që t’ju njoftojmë rreth iniciativës së parë sa i përket stazhit 15 vjeçar të pensionistëve”.

“Shumica parlamentare nuk e njohin stazhin e punës së viteve të 90-ta”.

Tutje, Tahiri tha se Kosovës i nevojitet një reformë për skemat pensionale në vend, e se Kuvendi duhet ta kalojë marrëveshjen ndërkombëtare me Bankën Qendrore në lidhje me këtë.

“Po ashtu e dimë që Qeveria është duke planifikuar një reformë, siç thonë ata një reformë, pak më të thellë të skemave pensionale në vend, reformë e cila është e lidhur ngushtë me Bankën Botërore, me një marrëveshje ndërkombëtare të një kredie e cila në Kuvend nuk ka kaluar. Nëse reforma pensionale lidhet me një institucion si Banka Qendrore, dhe mos të ecë, atëherë është problem”.

“Edhe ne kemi qenë në Qeveri, por kemi qenë 18 muaj. Presim nga ju të jeni kritikues edhe për ne dhe për të gjitha çka ju shqetëson”.

Tahiri tregoi se në këtë tryezë janë ftuar edhe partitë e tjera, por vetëm një deputet ka konfirmuar pjesëmarrjen.

“Shemsedin Dreshaj dje i ka ftuar të gjitha partitë politike të jenë prezentë, vetëm një deputet ka konfirmuar pjesëmarrjen”.

Ndërsa deputeti Shemsedin Dreshaj tha se për këtë “diskriminim” Kushtetuesja ka vendosur me 30 dhjetor, prandaj kjo iniciativë nuk ka të bëjë me opozitarizëm por me pensionistët.

“Zëri i pensionistëve dëgjohet në Kuvendin e Kosovës”.

“Kemi 34 skema pensionale në Kosovë, kemi skema të favorshme edhe më pak të favorshme. Ju e dini që çdo herë që rrogat janë marrë me të parin, ndërkaq pensionet me të 15-tin”, tha ai.

Albana Bytyqi, po ashtu deputete nga AAK, vlerësoi punën e kolegut të saj Dreshaj duke thënë se ai ka dhënë kontribut për t’u zgjidhur ky problem.

“Ajo çka është e rëndësishme që ne po punojmë shumë, por mazhoranca është në shumicë dhe që ata po vendosin”.

Njazi Gashi, kryetar i Lidhjes së Shoqatave të Pensionistëve të komunave, theksoi se nuk ka rëndësi kush e ka marrë iniciativën por ka rëndësi rezultati që arrihet.

“Kjo çështje nuk është problem i AAK-së e as e imja, por e të gjithëve. Pse gjithë ky inferioritet, gjithë kjo përbuzje ndaj kësaj kategorie? Unë nuk mundem me pasë shpjegim logjik për gjithë këtë indiferencë të pushtetarëve. Tani Kuvendi po i shkel të drejtat kategorisë që më së shumti ka nevojë për ndihmë”, tha Gashi në tryezën e diskutimit e shtruar nga AAK.

Kryetari i Sindikatës së SPAK-ut, Ndue Kalaj, tha se ligji është ‘ligji më diskriminues që Kosova ka mundur ta bëjë.”

“Në këtë ftesë do të duhej të ftoheshin edhe mazhoranca. Ky ligj është ligji më diskriminues që Kosova ka mundur ta bëjë. Kjo dispozitë ligjore i bën dëm shtetit. Kur na kanë larguar neve nga puna, pa marrë parasysh se me ligje të Serbisë na kanë larguar, nuk na njihen 15 vite punë”, tha Gashi.

Ai shtoi se në vitin 2010 është ligji për të përndjekurit politik, dhe për herë të parë definohet se çka do të thotë i përndjekur politik.

Pensionisti Zijadin Gashi tha se nuk e ka menduar se do ta përjetojë një diskriminim kaq të madh në shtetin e tij.

“Ka qenë një kërkesë jozyrtare e disa njerëzve, që të gjithë punëtorët e arsimit të regjistrohen si veteranë të luftës. Ne e kemi ndërtuar, jemi të parët që në pikëpamje institucionale e kemi respektuar Kushtetutën. Kur po i shoh disa kategori duke pasur privilegje si te mjeku, si nga ana materiale, pse edhe mësimdhënësit të mos i kenë ato privilegje. Të gjitha shtetet evropiane e njohin punën e mësimdhënësve gjatë viteve 90-ta përveç Kosovës dhe Serbisë”.

“Ju deputetët e keni rregulluar çështjen e  pensioneve, ndërkaq mua nuk më del pensioni im vjetor as për ta paguar tatimin në pronë sot”, tha Gashi.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.