Kurti thotë se diplomati Hollbrook u pendua për Republikën serbe në Bosnjë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë përsëri mesazhe të qarta rreth themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Gjatë qëndrimit në Turqi, në një intervistë për TRT World, Kurti ka ripërsëritur se në këtë situatë duhet të merret si shembull ajo që ka ndodhur në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Kur flasim për Asociacionin, duhet ta marrim seriozisht diplomatin amerikan, tashmë të ndjerë Richard Hollbrook, i cili u pendua në vitin 2005, që më 1995 lejuan këtë etnitet në Bosnje-Hercegovinë që të quhet Republikë Serbe”, ka thënë Kurti.

Kurti ka theksuar se Serbia akoma i konsideron si shtete të përkohshme Bosnjën, Kosovën dhe Malin e Zi.

Megjithatë, deri tash, sipas analistit politik Artan Muhaxhiri, mesazhet e ndërkombëtarëve rreth themelimit të Asociacionit janë të qarta.

“Ajo që është relevante, ajo që është fundamentale, thelbësore është që të gjitha dokumentet thonë që Asociacioni do të jetë vetëm e vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, pra Kushtetuta e Kosovës është “Bibla dhe Kurani” i Asociacionit, nuk mund të ketë ndonjë ndryshimn nga kjo rrugë”, ka thënë Muhaxhiri.

Kurti, sipas Muhaxhirit duhet të tregohet i kujdesshëm në këtë situatë.

“Kryeministri Kurti dhe Qeveria e Kosovës në përgjithësi e kanë vetëm një rrugë, e ajo është rruga e realizmit. Kryeministri Kurti duhet të jetë realist për fuqinë e tij politike, për presionet ndërkombëtare, por edhe për kërkesat dhe obligimet ndaj qytetarëve të Kosovës”, ka shtuar Muhaxhiri.

E duke folur për Asociacionin, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, theksoi se ai do të ketë kompetenca të rëndësishme.

Ky konstatim, sipas analistit Arbnor Sadiku, nuk mund të hidhet në tërësi poshtë.

Në këtë deklarim, sipas tij, mund të ketë të vërteta.

“Ajo që ka deklaruar Presidenti Vuçiq është në fakt ka diçka të vërtetë për faktin që nëse e shikojmë në tërësi krijimin e këtij Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe, në kuptimin formal të shkrimit të dokumentit praktikisht edhe ky që është paraqitur nga FES-i nënkuptohet çdo paragraf që thuhet dhe ceket që është në Kushtetutën e Kosovës, por nëse e shohim në aspektin praktik të rregullimit të tij në teren, e shohim që ky Asociacion i grumbullon të gjitha interesat e komunave serbe”, ka thënë Sadiku.

Presioni ndërkombëtar ndaj Kosovës për themelimin e Asociacionit është shtuar dukshëm javëve të fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.