/

Nexhipi zbulon prapaskenat e largimit të Krasniqit, zbulon edhe ofertat për lojtarë të tjerë

Transferimi i Ermal Krasniqit nga Ballkani te romunët e Kluzhit ishte lajmi më i madh në afatin kalimtar të janarit për futbollin kosovar. Ikja e tij nga kampioni i Kosovës bëri buj të madhe, por një operacion i tillë i solli përfitime financiare klubit suharekas.

Transferimi i Ermal Krasniqit nga Ballkani te romunët e Kluzhit ishte lajmi më i madh në afatin kalimtar të janarit për futbollin kosovar. Ikja e tij nga kampioni i Kosovës bëri buj të madhe, por një operacion i tillë i solli përfitime financiare klubit suharekas.

Drejtori sportiv i “Ballkanit”, Nderim Nexhipi, ka thënë se këmbëngulja e madhe e klubit nga Rumania, bëri që ky operacion të mbyllej brenda një periudhe të shkurtër, duke shtuar edhe faktin se lojtarit i skadonte kontrata në përfundim të sezonit.

Nexhipi: Kluzh e kërkoi me çdo kusht Krasniqi

VIDEO:

“Ermali ka qenë një rast specifik sepse edhe Kluzhi e ka ditur që verës i kalonte kontrata dhe normal ata si klub, ke të drejtë të firmosësh me lojtarin që tani dhe lojtari bashkohet si lojtar i lirë më 1 korrik. Ata e bënë këtë gjë me Ermalin sepse u morën vesh, ranë dakord për kushtet, firmosën atë kontratën mes tyre dhe tani për t’i ndihmuar Ermalit që tani, kërkonin që transferi të bëhet sa më shpejtë. Tre katër oferta ka pasur zyrtare nga Kluzhi, para përfundimit të kontratës përfundimtare. Besoj që kemi bërë një marrëveshje shumë të mirë duke marrë parasysh që Ermali në qershor largohej si lojtar i lirë”, tha Nexhipi.

Duke folur në një intervistë për KosovaPress, Nexhipi zbuloi se në klub kanë ardhur edhe oferta për lojtarë të tjerë të Ballkanit, duke përfshirë yjet kryesorë të skuadrës.

Nexhipi: Kemi oferta konkrete edhe për lojtarë të tjerë

VIDEO:

“Po, tani oferta zyrtare në klub deri në këtë moment ka pasur për Rrahmanin, për Dellovën interesim, Korenicën, Gripshin dhe patjetër që ta themi diamantin tonë të klubit, Emërllahun. Lindoni është një lojtar interesant sepse është 20 vjeç tani dhe ka bërë ndeshje e paraqitje të jashtëzakonshme në Evropë, normal që interesimi nuk do të mungojë. Me futjen në grupet e Ligës së Konferencës, mendoj që është zgjuar, do të thotë ka pasur një interesim të jashtëzakonshme për lojtarë tanë dhe kjo na bënë që të gjithë të vazhdojmë me punën që jemi duke e bërë që ndoshta, nëse jo në këtë afat kalimtar, ndoshta verës të kemi ndonjë lëvizje nga lojtarët”, tha ai.

Edicioni pranveror nis javën e ardhshme me “Ballkanin”, që po synon ta mbrojë titullin e kampionit, gjë për të cilën Nexhipi thotë se do të zhvillohet një luftë e ashpër me Dritën.

Nexhipi: Do jetë luftë e zjarrtë me Dritën për titull

VIDEO:

“Unë e shoh Dritën si konkurrentin kryesor. Ne dhe Drita jemi diferencuar me ekipet tjera dhe do të jetë një luftë e zjarrtë deri në fund patjetër sepse Drita është ndër ekipet më cilësore. Aty tani normal e kemi Prishtinën, kemi Llapin, Gjilanin, edhe pse me problemet që i ka ndoshta financiare është çdo herë aty. Besoj që do të jetë një luftë e jashtëzakonshme deri në fund dhe shpresojmë që të jemi ne ata që në fund do Zoti e marrim titullin kampion”, tha Nexhipi.

Sipas Nexhipit, e ardhmja e Ballkani në aspektin financiar është e sigurt.

Nexhipi: Kemi mbi katër milion euro të ardhura në klub

VIDEO:

“Puna më e madhe që e ka bërë presidenti ynë është ai durimi që ka pasur sepse në futboll gjërat nuk vijnë për një natë, duhet pasur një plan një koncept edhe një strategji…Pas pandemisë shumë biznese kanë qenë të rrezikuara sepse pandemia ka lënë një gropë të madhe financiare te çdo biznes në rajon dhe në botë, por faktikisht gjëja më e mirë që ka mundur të na ndodh neve si klub, si një ekip që jemi, rrugëtimi ynë i gjatë në Evropë patjetër që ka qenë me të vërtetë shumë i suksesshëm dhe shumë i mirë, një injeksion i mirë për klubin sepse kemi të ardhura mbi katër milionë euro në klub dhe kjo shumë mund të rritet nëse ndonjë lojtarë në momentet e fundit të merkatos mund të shitet, kështu që unë besoj se jemi në rrugën e duhur dhe normal nëse i qëndrojmë mbrapa asaj, atij seriozitetit që kemi në klub besoj që edhe për shumë vite Ballkani do të jetë në këto nivele që është.”, tha Nexhipi.

Në sukseset e “Ballkanit”, padyshim se elementi kryesor është trajneri Ilir Daja për të cilin javëve të fundit ka pasur spekulime se mund të largohet, por Nexhipi zbulon se ai është i paprekshëm.

Nexhipi: E ardhmja e Ilir Dajës nuk është fare në diskutim

VIDEO:

“E ardhmja e trajnerit Ilir Daja nuk është vënë në dyshim sepse ne kemi një projekt gjitha bashkë këtu me trajnerin, me presidentin edhe besoj që do t’i rrimë sa më gjatë dhe do shpresojmë që këto rezultate që kemi marrë tani t’i kapin në vazhdimësi dhe nga viti në vit ky klub i Ballkani të rritet ashtu siç është duke u rritur. Patjetër që na pret një punë e rëndë, punë e jashtëzakonshme, sidoqoftë ne i kemi të gjitha kushtet, të gjitha gjërat që të vazhdojmë me këtë projekt të cilin e kemi filluar dhe shpresojmë që të zgjatë sa më shumë.”, tha në fund Nexhipi.

Nexhipi gjithashtu tha se janë duke pritur lajme të reja mbi licencimin e Federatës së Futbollit të Kosovës sepse kjo do të ishte një hap tjetër i madh që i ofron klubet me ligjin e sponsorizimit, ndërsa zbuloi se janë në bisedime me Komunën e Suharekës për fillimin e ndërtimit të një stadiumi të ri.

Leave a Reply

Your email address will not be published.