Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport, ka shqyrtuar Projektligjin pёr Agjencinë e Kosovës për Akreditim.
Kryetari i këtij komisioni, Ardian Gola, tha se ky ligj, i cili ka 44 amendamente, do t’i mundësojë Agjencisë së Kosovës për Akreditim të funksionojë e pavarur.
Ai po ashtu tha se të gjithë zyrtarët janë pajtuar me këto amendamente.
“Tashmë ka kaluar më shumë se një vit që si draft i ardhur nga Qeveria është duke u punuar nga Komisioni për Arsim. Ka qenë një punë intensive, takime me profesor të Universiteteve dhe me zyrtarët për akreditim. Në çdo takim, ku janë mbajtur 16 takime të grupit punues, në 44 amendamente të propozuara në ligj ka pasur konsensus të plotë, miratim të plotë”.
“Shkarkimi jo i ligjshëm nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj – ideja e një hartimi të ligjit ka ardhur nga ky shkarkim. Kjo agjenci duhet ta ketë statusin e rregullatorit. Kësaj agjencie kemi dashur që t’i japim statusin e pavarur. Ka shumë dispozita që mundësojnë një funksionim të pavarur të agjencisë”, tha ai.
Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Enis Kervan, shprehu shqetësim se mund të ketë probleme për akreditim për programet në gjuhët e komuniteteve.
Ai tha se programet studimore të komuniteteve të mos vendosen në ligj pasi ato do të mbyllen.
“Kriteret formale nuk janë kritere që vendosen në ligje. E dëmtojnë dhe të gjitha programet do të mbyllen në gjuhën boshnjake dhe turke”, tha ai.
Mirëpo sipas kryetarit Gola, në këtë ligj do të përdoren përsëri të gjitha kriteret që janë përdorur edhe më herët, vetëm se në programin e doktoratës është një ndryshim.
Ai tha po ashtu që në këtë ligj të ju mundësohet një dispozitë kalimtare për komunitete jo shumicë në Kosovë.
“Një dispozitë kalimtare që të ju jap komuniteteve jo shumicë në Kosovë që t’i mbërrijnë kriteret që nuk i kanë arritur”, tha ai.