ZRrE-ja paralajmëron shtrenjtim të energjisë elektrike, deputetët e komisionit për Ekonomi e kritikojnë ashpër

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ka shqyrtuar Planin e Përformancës për vitin 2023 e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), me ç’rast u paralajmërua shqyrtim i jashtëzakonshëm i tarifave të energjisë elektrike.

Kryetari i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, tha se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për këtë shqyrtim të tarifave, por nuk dha shifra të sakta se sa mund të shtrenjtohet energjia elektrike.

Për këtë u ankua deputeti i VV-së, Armend Muja, i cili tha se nuk ka shpjegim të planit konkret në Planin e Performancës për vitin 2023.

“Nuk ka shpjegim të planit konkret. Ju vazhdimisht po thirreni në të kaluarën, por nuk po tregoni se ku filloni, cilat janë objektivat, kur do të nisin. Cila është kosto, cilat janë shpenzimet, humbjet dhe përfitimet”, ka pyetur ai.

Kryetari i Bordit të ZRRE-së Ymer Zejnullahu, tha se ende nuk kanë shifra të sakta, por se ZRrE-ja e ka dhënë kontributin e vet për strategjinë e energjisë.

Ai tha se prioritete gjatë këtij viti janë rritja e konkurrencës në sektorin e energjisë dhe tregu i përbashkët me Shqipërinë.

“Ne e kemi dhënë kontributin tonë për strategjinë e energjisë. ZRrE në kuadër të këtij procesi vitin e kaluar ka ndryshuar dy rregulla; që të shkurtohen afatet për investime për burimet e ripërtërishme dhe faturat kanë qenë si një prej synimeve tona, këtë vit presim me finalizua një program”.

“Te siguria kibernetike kemi zhvilluar një strategji që lidhet me projekte kibernetike. Ne kemi kërkuar që në raportet e ZRrE-së të jenë të gjitha të dhënat në raport dhe të publikohen ne ueb faqe”, tha ai.

Gjatë diskutimeve në këtë komision pati edhe një përplasje në mes deputetes Mimoza Kusari-Lila dhe kryetarit të Bordit të ZRrE-së Ymer Zejnullahu.

Deputetja Mimoza Kusari Lila, ka kërkuar llogari nga ZRrE për gjendjen financiare në sektorin e energjisë dhe se a kanë dërguar letra për borxhet nga KEDS dhe KOSKO.

“Një prej problemeve kryesore sot është gjendja financiare e energjisë. Aktualisht a mundeni me na tregu se si është gjendja financiare në sektorin e energjisë. Ku janë letrat e juaja, çka keni bërë ju si rregullator dhe cila është gjendja financiare e rregullatorit. Çka keni ndërmarr për borxhet”, pyeti ajo.

Kryetari i Bordit të ZRRE-së Ymer Zejnullahu tregoi se kanë dërguar disa herë letra për borxhet.

Ai po ashtu u ankua për mungesën e një objekti për këtë institucion dhe se nuk kanë mundur që të bëjnë investime në objekte të huaja.

Edhe deputeti Pal Lekaj pati kritika sa i përket planit të përformancës të ZRrE-së.

Ai u shpreh se me rritjen e energjisë do të dëmtohen edhe më shumë qytetarët.

“Sa i përket planit të përformancës është një përshkrim i asaj që dëshironi të realizoni. Ky nuk është i saktë. Në asnjë rresht nuk e keni shkruar se cilat janë obligimet, sa është kostoja. Nëse e keni për konsumatorët, a nuk dëmtohen ata sidomos në stinë e dimrit. Riparimet në dimër bëhen vetëm në gjendje të jashtëzakonshme, dhe jo që gjatë dimrit të ketë riparime e konsumatorët të jenë deri në 8 orë pa rrymë. Nëse shkoni të rritja e energjisë nuk e di se si do tja dalin qytetarët tanë”, ka thënë Lekaj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.