Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, kanë prezantuar të mërkurën agjenden për shënimin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt dhe Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 5, 6, 7 mars. Këto aktivitete do të zgjasin për 30 ditë.
Bislimi ka thënë se programi për këto dy data “shumë të rëndësishme për Kosovën” është hartuar nga grupi punues i përbërë nga Çeku si përgjegjës kryesor, ndërsa anëtar janë edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ministri i Financave, Hekuran Murati, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, gjeneralmajor Bashkim Jashari, Shkumbin Ahmetxhekaj e përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta, Muhamet Bilalli.
Në konferencë për media, Çeku ka thënë se programi do të fillojë nga 9 shkurti dhe do të zgjasë deri më 12 mars.
Gjatë kësaj periudhe, siç ka njoftuar Çeku, do të ketë aktivitete të ndryshme çdo ditë për shënimin e këtyre dy datave.
“Në këto 30 ditë aktivitete do të ketë homazhe, nderime, parakalim të FSK-së, turne e kampionate në sport, aktivitete muzikore, ekspozita, shfaqje filmi, teatri e baleti, promovime librash, gara shkollore e sesione librash. Do të ketë edhe pritje zyrtare”, ka thënë ai.
“Programi është 30 ditor, ku çdo ditë do të ketë aktivitet për shënimin e këtyre datave. Gjithashtu do të ketë pritje zyrtarë në Kosovë. Programi total i përgjithshëm është i përmbledhur në një faqe prezantim. Dita e 17 shkurtit, pra 15 vjetori të pavarësisë në orën 08:00 mbledhja festive e Qeverisë. Në orën 11:00 mbahet seanca festive e Kuvendit. Parakalimi do të mbahet më 17 shkurt në orën 12:00 në sheshet qendrore”, tha Çeku.