Shpërndau drogë në Qendrën e Paraburgimit në Novobërdë, dënohet me burgim zyrtari korrektues

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj zyrtarit korrektues që akuzohej se ka shpërndarë drogë në Qendrën Paraburgimit në Komunën e Novobërdës, në nëntor të vitit të kaluar.

Zyrtari korrektues K. R. akuzohet se më datë 01.11.2022, ka shpërndarë kokainë e marihuanë në Qendrën Paraburgimit në Novobërdë dhe me këto veprime ka kryer veprën penale; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substanca psikotrope dhe analoge”.

“I akuzuari K. R. me datë 01.11.2022, rreth orës 14:30 minuta, në Qendrën Paraburgimit në Komunën e Novobërdës, në cilësinë e personit zyrtar – zyrtar korrektues, pa autorizim shpërndanë apo dorëzon substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope ose substanca analoge, në atë mënyrë që derisa ishte në orarin e punës si zyrtarë korrektues, shkon në katin P-2, dhomën nr. 7 dhe komunikon me të paraburgosurin S. L., ku përmes vrimës se vrojtimit, e ka nxjerrë nga xhepi i pantallonave të uniformës zyrtare sasinë e substancës narkotike të llojit kokainë dhe marihuanë dhe ja jep në dorë të paraburgosurit dhe më pas intervenojnë pjesëtarët e tjerë të shërbimit korrektues dhe në dhomën e tij gjejnë: një qese plasmani me kokainë në peshë prej 2.57 gram dhe një qese plasmani me marihuanë në peshë prej 7.46 gram”, thuhet në njoftim.

Kurse i akuzuari “S. L. me datë 01.11.2022, rreth orës 14:30 minuta, në Qendrën Paraburgimit në Komunën e Novobërdës, pa autorizim posedon substancë narkotike, substancë psikotrope apo analoge, në atë mënyrë që, pas intervenimit të zyrtarëve korrektues në katin P-2, në dhomën nr.7, në dhomën e tij gjejnë: një qese plasmani me kokainë në peshë prej 2.57 gram, dhe një qese plasmani me marihuanë në peshë prej 7.46 gram.”

Me këto veprime, i akuzuari ka kryer veprën penale posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 269 paragrafi 1 të KPRK-së.

Trupi gjykues nga Departamenti Krimeve të Rënda, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit K. R. duke i shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 500 (pesëqind) euro dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, gjithashtu të njëjtit i shqiptohet edhe dënimi plotësues; ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës, në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, pas mbajtjes së dënimit me burgim.

Të akuzuarit S. L. i shqiptohet dënim me gjobë në shumë prej 500 (pesëqind) euro dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tre) muaj.

Palët e pakënaqura kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.