Aktakuzë ndaj 15 personave të dyshuar për prodhim të drogës në Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda ka ngritur aktakuzë ndaj pesëmbëdhjetë personave të pandehur me inicialet S.Sh., A.D.,V.N., S.D., A.Sh., B.H., S.Sh., S.H., M.Sh. – shtetas shqiptar të Republikës së Kosovës dhe Z.S., F.D., M.Y., A.D., H.I. S.Y.- shtetas të Republikës së Turqisë,të cilët gjenden nën masën e paraburgimit që nga muaji maj 2022 lidhur me rastin e koduar “Gropa”, ku u sekuestruan rreth 67,5 kilogram heroinë dhe 25,5 kilogram narkotikë të llojit morfinë dhe kodein.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se që nga muaji prill 2022, e deri më 23 maj 2022, paautorizim në shtëpinë e të pandehurit B.H., në fshatin Firaj, komuna Shtërpcë dhe në shtëpinë e të pandehurit M.Sh., në fshatin Varosh, komuna Ferizaj, të njëjtit, prodhojnë substanca narkotike të llojit heroinë dhe atë 67.5 kilogram, ndërsa 25.5, kilogram nuk arrijnë ta prodhojnë, ashtu që të pandehurit S.Sh, A.D., V.N dhe S.Z.,organizojnë transportin e lëndës së parë të narkotikut të cilën e sjellin nga Irani përmes Turqisë-Greqisë dhe Maqedonisë Veriore, e vendosin në një depo në rrugën “Astrit Bytyqi”, pastaj improvizojnë një laborator për prodhimin e heroinës në shtëpinë e të pandehurit B.H., në fshatin Firaj.

Ndërsa më 15 maj 2022, në Kosovë vijnë edhe të pandehurit H.I dhe M.Y., dhe më 18 maj 2022, fillon procesi i prodhimit të heroinës, mirëpo më 20 maj 2022, pasi dyshojnë se policia iu ka vënë në gjurmë, të pandehurit A.D., B.H., dhe V.N., nga Firaja tërheqin narkotikun të cilët deri në atë kohë e kishin prodhuar dhe pjesën tjetër të papërpunuar dhe i dërgojnë në fshatin Varosh, kurse më 23 maj 2022, policia bën bastisjen e shtëpisë së të pandehurit M.Sh., ku gjendet sasia prej 67.71, kilogram narkotik të llojit heroinë, ndërsa më datën 30 gusht 2022, në një shtëpi të pabanuar në fshatin Doganaj gjendet edhe një sasi prej rreth 25.5 kilogram narkotik të papërpunuar gjegjësisht, me përbërje morfinë dhe kodein, me çka kryen veprën penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike” nga neni 268 par 1 dhe par 4 lidhur me nenin 275 par 1 nën par 1 .1 dhe 1.9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës ( KPRK-së).

Po ashtu, sipas Prokurorisë, për të pandehurit A.Sh, S.Sh.,S.H., me qëllim të parandalimit apo fshehjes së provave ekziston dyshimi i bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Pengimi i të provuarit në procedurën zyrtare” nga neni 386 par 2 të KPRK-së.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat i’u vihen në barrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.