“Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve” ka prezantuar raportin me të gjeturat në “Vlerësimin e dinamikës së popullsisë së qenve në Komunën e Prishtinës”. Aty u shpalosën të gjeturat sa i përket dinamikës së qenve në rrugë, përfshirë dendësinë (numrin) e qenve, mirëqenien e tyre, mbajtjen e qenve nëpër shtëpi dhe burimet e shtimit të numrit të qenve endacak nga qentë me pronar.
Aty u tha se vlerësimi i dinamikës dhe gjendjes së popullsisë së qenve në nivel komunal, kontribuon në reduktimin e qëndrueshëm dhe human të qenve në rrugë. Sipas raportit, shumica e qenve janë të pasterliziuar, me ç’rast u kërkua të bëhet edhe numërimi i tyre në Komunën e Prishtinës.
Drejtoresha e Fonacionit për të Drejtat e Kafshëve, tha se sa i përket dinamikës së qenve, merret për bazë edhe prejardhja e tyre dhe gjinia.
“Qëllimi ka qenë me e zbulu se sa është numri i qenve, si e shohin qytetarët, a e din ata se si të qasen, sa prej tyre mbajnë qenë. Nëse qeni fillon të duket keq nga jashtë e ka një indikacion nga brenda që e bën të duket keq. Për ta përmirësuar gjendjen me qenë, duhet t’i përfshijmë edhe qentë me pronarë. Sipas ICAM për të arritur deri tek menaxhimi i suksesshëm një mirëqenie duhet të përmirësohen kujdeset për qenë, zvogëlimi i densitetit të qenve, zvogëlimi i rrezikut për shëndetin dhe sigurinë publike, zvogëlimi i ndikimeve negative të qenve në kafshë të egra”, tha ajo.
“Një indikator shumë problem janë qentë femra, për shkak se është mundësia e riprodhimit të tyre. Matja e dinamikës së qenve në rrugë është bërë më anë të këtyre indikatorëve dhe përmes aktiviteteve të cilat janë numërimi i qenve në rrugë dhe vlerësimi i mirëqenies së tyre dhe anketimi i amvisërive për dinamikën e popullsisë”, tha Ramadani.
“Nga të dhënat e mbledhura, një numër i madh i qenve me pronar nuk janë të sterilizuar dhe lejohen të bredhin lirshëm jashtë ambienteve të shtëpisë, duke rritur mundësinë për riprodhim me qentë në rrugë që nuk janë të sterilizuar, duke shtuar kështu edhe më shumë numrin e tyre në rrugë. Ky projekt është fokusuar edhe tek përfshirja e qytetarëve si pjesë e zgjidhjeve për reduktimin e qenve në rrugë, prandaj është marrë edhe mendimi i qytetarëve për zgjidhjet potenciale për qentë e rrugës, përkujdesjen ndaj qenve të rrugës dhe shqetësimet nga prezenca e qenve në rrugë, si dhe interesimi për adoptimin e këtyre qenve. Nga të gjeturat e anketimit, qytetarët e Prishtinës kanë treguar preferenca për reduktimin e numrit të qenve në rrugë përmes metodave humane, e jo përmes metodave si vrasja e qenve”.