Kosova gjendet në një situatë pa shtegdalje, duke e pranuar plani franko-gjerman, në të cilën nuk ka njohje reciproke. Ndërsa pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, ndërkombëtarët mund të kërkojnë sërish kompromise. Kështu ka deklaruar analisti politik, Afrim Kasolli, raporton DTV.
Ai u shpreh se Qeveria nuk ka pasur transparencë të plotë në lidhje me dialogun dhe planin e prezantuar nga ndërkombëtarët.
Kasolli për DTV, ka thënë se pasi nuk ka marrëveshje finale në planin franko-gjerman, procesi negociator do të vazhdojë edhe për shumë vite.
“Ky proces deri tani e ka karakterizuar një mungesë e plotë e transparencës. Kryeministri për herë të parë i bëri të qarta mënyrën se si ka ardhur deri tekë ky propozim ku tha që më është thënë merre ose leje këtë marrëveshje dhe që Kosova në një farë mënyre është ndodhur përballë një situatë pa shtegdalje. Ai bëri të qartë se kjo marrëveshje nuk e ka në qendër të saj njohjen finale dhe se nuk është marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, çfarë tregon që në të ardhmen mund të pritet dhe mund të vazhdohet edhe më tutje procesi negociator ndërmjet dy vendeve deri sa të vije deri të një marrëveshje përfundimtare”, tha ai për DTV.
Kasolli shprehet se pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, ekziston rreziku që për normalizim të marrëdhënieve të kërkohen ende kompromise të reja nga Kosova.
“Kjo më pastaj e lenë të hapur derën dhe rrezikun që në rrjedh e sipër të dialogut pasi të nënshkruhet edhe kjo marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve të kërkohen edhe kompromise të reja nga Kosova në mënyre që të arrihet deri të një marrëveshje finale e cila nuk dihet se kur do të arrihet. Pak a shumë këto janë rreziqet me të cilat mund të futet Kosova në një proces të ri të stërzgjatur negociator”, tha ai.