Traumat e grave të dhunuara seksualisht gjatë luftës në Kosovë, janë bartur edhe te fëmijët e tyre. Kështu tha drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, raporton DTV.
Në prezantimin e hulumtimit të parë të kësaj natyre, argumenton se traumat e grave të dhunuara seksualisht janë bartur edhe te fëmijët e tyre.
“Gratë dhe burrat që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës, trauma ndërvepron dhe qarkullon tek të gjithë anëtarët e familjes. Kjo konferencë është titulluar jo rastësisht ‘A mundet terapia familjare të rikthejë ndryshimet epigjenetike që mund të jenë të shkaktuara nga efektet e çrregullimit të stresit pas traumatik ambor dhe traumës ndër-brezore?’, ku është vërtetuar që trauma e shkaktuar është bartur edhe tek fëmijët”, u shpreh ajo.
Më tej, Rushiti shtoi se ky studim tregon se terapia familjare ka mund të ndikojë pozitivisht.
“Gratë dhe burrat që kanë përjetuar dhunë seksuale, ato trauma nuk ndikojnë vetëm tek ata por edhe tek familjarët e tyre. Ato bartin dhe manifestojnë simptomë po ashtu si nënat e tyre. Ky studim me gratë është i pari në botë që është bërë. Për më shumë se 23 vjet kjo qendër ka shërbyer dhe vazhdon të shërbej për këto gra”.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott theksoi se mbështetja e mbijetuarve është prioritet i qeverisë britanike.
“Përmes iniciativës për parandalimin e dhunës seksuale në konflikt ne do të vazhdojmë të kontribuojmë drejt këtij prioriteti. Studime të tilla janë shumë të rëndësishme për Kosovën, së pari parandalimi i dhunës seksuale dhe parandalimi i bartjes së traumës në gjenerate. Gjetjet nga ky studim vërtetojnë që përkrahja e të mbijetuarve parandalon bartjen e traumës”, shtoi ai.
Shyretë Sulejmani e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, rrëfeu për tmerrin që e kishte pësuar gjatë kohës së luftës.
“Dhimbja si e mbijetuar gjatë luftës nuk përfundon kurrë, kam dashur ta lë në harresë. Nuk kam qenë në gjendje t’i mbroj vajzat e mia nga një kujtim kaq i tmerrshëm. Kam pyetur veten me qindra herë a jam unë një nënë e mirë ndjesia e fajit është shkatërruese”, thotë ajo.
Ndër të tjera ajo shprehet se, “më gëzon shumë fakti që pikërisht në vendin tim në Kosovë po bëhen shumë hulumtime që tregojnë traumën tonë”.
“Nuk mundemi të ndalojmë traumën nga brezi në brez por duke komunikuar me fëmijët tanë. Ne nuk kemi zgjedhur të kaluarën tonë por kemi mundësi të zgjedhim të ardhmen”, përfundoi ajo.