/

Kurti: I kemi mbështetur komunitetet më shumë se çdo Qeveri, asnjë qytetar s’do të diskriminohet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se komunitetet në vend kanë qenë të përkrahura përgjatë dy viteve nga Qeveria e tij. Sipas Kurtit, të njëjtën nuk e kanë bërë Qeveritë e kaluara, raporton DTV.

Në tryezë me temën “Pakicat në Kosovën e pavarur”, shefi i ekzekutivit tregoi për mbështetjen që u ka dhënë bizneseve të komuniteteve.

Ai u zotua që asnjë qytetarë nuk do të diskriminohet në Kosovë, teksa tha se qindra biznese e familje kanë përfituar nga Qeveria.

“Kosova është shteti ynë i përbashkët, ku të gjithë duhet të ndjehemi plotësisht të barabartë dhe të padiskriminuar mbi asnjë bazë. Kosova është shteti ynë i përbashkët pra, në të cilën duhet të kemi edhe mirëqenie edhe siguri dhe ky është prioritet i qeverisjes sonë si garant i mbështetjes për të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e vendit me fokus në sundimin e ligjit dhe drejtësi, krijimin e vendeve të reja të punës, përmirësimin e gjendjes së arsimit dhe ngritjen e tij në një nivel më të lartë. Në dy vitet e fundit, qeveria jonë ka mbështetur të gjitha komunitetet përmes masave të zbatuara dhe granteve të ndara. I kemi përkrahur 123 projekte për biznese të vogla dhe Start-Up-e për komunitetet joshumicë, mes tyre 48 për komunitetin serb, 27 për komunitetin boshnjak, 21 për komunitetin egjiptian, 10 për komunitetin ashkali, 5 për komunitetin goran dhe 4 për komunitetin rom. Që nga fillimi ne i kemi mbështetur komunitetet më shumë se çdo Qeveri. Qeveria është angazhuar që asnjë qytetarë të mos diskriminohet dhe të gjithë së bashku me të gjitha komunitet do të punojmë që ta ndërtojmë rrugën evropiane”, tha ai.

Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejta të Njeriut, Emilija Redžepi, tha se 17 shkurti është ditë historike për Kosovën. Ajo i përmendi edhe të drejtat e komuniteteve që u takojnë me Kushtetutë.

Ndonëse nuk është e kënaqur me përfaqësimin e komuniteteve në institucionet shtetërore, Redžepi tha se ka shpresa që këtë mund ta bëjë Albin Kurti.

“Sot, Kosova është një shtet demokratik, në të cilin çdo komunitet mund të afirmoj nevojat e veta dhe të realizojë të drejtat e veta kombëtare kulturore, sociale, ekonomike dhe fetare. Sot, kur festojmë 15 vjet nga shpallja e pavarësisë, lirisht mund të themi se vendi ynë po ecën në drejtimin e duhur të zhvillimit të tij. Ne kemi institucione shtetërore, në të cilat pjesëtarët e të gjitha kombeve marrin pjesë në punët e përcaktuar me ligj, a jemi të kënaqur, sigurisht që nuk jemi dhe ky numër është ende shumë i vogël, por shpresojmë shumë te kryeministri ynë, i cili merret më intensivisht me çështjet e jetës së të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë, duke krijuar një përfshirje të shoqërisë nga të gjithë qytetarët e saj, duke mos e ndarë askënd në asnjë lloj baze dhe në atë luftë do t’i japim mbështetjen tonë maksimale”, tha Redžepi.

Ministri për Kthim dhe Komunitet Nenad Rashiq, tha se në Kosovë ka diversitet dhe se kjo është një vlerë e madhe.

Ai falënderoi Kurtin për ndihmën që është duke e dhënë ndaj komunitetit serb.

“Vetë në fillimin e i karrierës sime kam folur që diversiteti që është në Kosovë është vlera më e madhe. Dhe kjo vlerë duhet që të kultivohet dhe të fuqizohet. Më vjen mirë që në këtë bazë ekziston një komunikim i mirë. Unë e kam pas nderin që Ministria për herë të parë të shpallë një ftesë publike për të aplikuar pakicat dhe sot çdo ditë ka aplikime. Ftesën e kam hapur për ndërtimtari, pako ushqimore… unë dua që të falënderoj kryeministrin për përkrahjen që i ka ofruar edhe mua edhe popullit tim, por unë kërkoj përsëri ndihmën e tij”, tha ai.

E ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, tha se Kosova është shteti ku të gjitha komunitetet jetojnë në harmoni të plotë.

“Kosova është vendi më i ri në Evropë dhe tani feston 15-vjetorin e pavarësisë. Në vendin tonë jetojnë komunitete si shqiptarë, turk, serbe, romë, egjiptian… dhe shumë komunitet të tjera ku jetojnë së bashku në harmoni dhe në miqësi dhe kështu duhet që më tutje dhe se bashku të zhvillojmë shtetin tonë. Vite më radhë kemi pasur probleme politike dhe tani më jemi në një fazë ku është duke vazhduar dialogu Kosovë -Serbi, me ndërmjetësim e BE-së. Tani jemi në pjesën e qeverisë që është duke luftuar padrejtësinë në interes të popullit”, tha ai.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.