Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale.
Një rast i tillë dyshohet të ketë ndodhur gjatë ditës së djeshme në rrugën ‘Turgut Ozal’ në Prizren, ku viktimë është një vajzë e mitur.
DTV mëson se ajo bashkë me nënën e saj kanë denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se teksa ishte duke shkuar në shkollë, një person i moshës së rritur, i panjohur për të, e kishte përcjellë nga mbrapa.
Bazuar në dëshminë e viktimës, gjatë rrugës ishin ndalur në një lokacion të caktuar dhe më pas i dyshuari kishte tentuar që t’ia zhvesh pantallonat dhe e kishte prekur në pjesë intime të trupit.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore janë vënë në lëvizje dhe në kuadër të veprimeve hetimore kanë identifikuar lokacionin ku dyshohet se ka ndodhur ngjarja dhe po mbledhin informacionet e nevojshme që mund të ndihmojnë në identifikimin e të dyshuarit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Sulm seksual’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.