Me rastin e shënimit të 15-vjetori të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Komuna e Vushtrrisë ka mbajtur akademi solemne, me ç’rast u vlerësua lartë lufta e UÇK-së, raporton DTV.
Aty u përmendën edhe ish-krerët e shtetit, të cilët po përballen nga Gjykata Speciale për krimet e supozuara gjatë luftës.
Kreu i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se liria e pavarësia nuk janë dhuratë por sakrificë e gjithë shqiptarëve ndër shekuj.
“Sot e ka ditëlindjen Republika e Kosovës, zemra e shqiptarisë. Kjo Kosovë që u gjakos për të sjellë dritë e liri të gjithë shqiptarisë. Kjo ditë na mundësoi që të jemi së bashku e të festojmë së bashku. Nuk është ë rastësishme, nuk është dhuratë nga askush por është vuajtje e loti gjaku dhe sakrifica e gjithë shqiptarëve ndër shekuj”.
“Kjo ditë është gjaku dhe vuajtja e rinisë studentore, është burgu i Adem Demaqit, është vuajta e minatorëve, është lëvizja studentorë e përgjakur, kjo ditë është lëvizja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vepra sublime e Komandantit Legjendar Adem Jashari. Kjo ditë është dita e ShBA-ve dhe NATO-s për të ndalë gjenocidin në Kosovë. Kjo ditë është gjaku i njomë i derdhur për liri e pavarësi, amanet nga të parët tanë”, tha Idrizi.
E përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, Shaip Hyseni, përmendi mungesën e ish-krerëve të shtetit, të cilët po gjykohen në Hagë.
“Përpjekjet e popullit tonë për liri ishin të gjata dhe të mundimshme, dhe kurorëzuan pavarësinë më luftën e Ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare ta Kosovës. Edhe sot festojmë pa drejtuesit e UÇK të cilët po mbahen padrejtësisht në gjykatën e Hagës. Gjeneratë pas gjenerate do t’i kujtojmë dëshmorët e kombit”, tha ai.