Krasniqi kujton ish krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë: Do duhej të ishin me ne

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi në seancën solemne në Kuvend për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka përmendur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi të cilët ndodhen aktualisht në Hagë, raporton DTV.

Krasniqi ka thënë se ata do të duhej të ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit në një rast solemn si ky që përkujton një ngjarje kaq madhore, protagonistë të së cilës ishin pikërisht ata vetë.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e bashkëluftëtarë të tjerë, sot janë larg nesh, duke e zhvilluar betejën e fundit, për të vërtetën e luftës sonë për liri.Do të duhej të ishin në këtë sallë bashkë me ne, në një rast solemn si ky që përkujton një ngjarje kaq madhore, protagonistë të së cilës ishin pikërisht ata vetë. E ndonëse ata nuk janë me ne fizikisht, vazhdojnë të mbesin në zemrat e qytetarëve të Kosovës. Dhe duke besuar fuqishëm në drejtësi, nuk kemi as mëdyshje se do të rikthehen si fitimtarë, ashtu siç erdhën dikur, si çlirimtarë. Historia e Kosovës moderne, është e lidhur me emrat e tyre, dhe veçmas me ish-Kryeministrin dhe ish-Presidentin Hashim Thaçi, pa emrin e të cilit, 17 shkurti 2008 si datë dhe shpallja e pavarësisë si ngjarje, nuk mund të kuptohen as si të plota, e as si të sakta”, shtoi Krasniqi.

Kreu i PDK-së ka thënë se historia e Kosovës moderne është e lidhur me emrat e çlirimtarëve që gjenden në Hagë për të mbrojtur të vërtetën e luftës së UÇK-së, e veçmas me ish-Kryeministrin dhe ish-Presidentin Hashim Thaçi.

Ai e citoi edhe Deklaratën e shpalljes së Pavarësisë që ish-kryeministri Hashim Thaçi e lexoi më 17 shkurt 2008.

“Më lejoni, që duke ndjerë rrahjen e zemrave të stërgjyshërve tanë, unë me nderin dhe privilegjin më të madh, do të lexoj Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate, shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”.

Kreu i PDK-së ka thënë se në historinë e Kuvendit të Kosovës, nuk ka fjalë e lajm që është pritur më gjatë.

“Fjalë që peshojnë përherë njëjtë në zemrat e qytetarëve të Kosovës, që përmbledhin një rrugëtim të gjatë historik, një vetëdije të gjerë shoqërore, një kërkesë të drejtë e legjitime politike dhe një aspiratë për t’i dhënë Kosovës emrin e saj të vërtetë: shtet i pavarur e sovran. Çdo 17 Shkurt, kur përsëritet kujtesa e asaj dite historike, e ndjej peshën që kemi pasur të gjithë ne, që fati na zgjodhi për ta nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë, si diçka që na mbanë të lidhur për atë rrugëtim e atë vetëdije”, ka thënë Krasniqi.

Ai kujtoi me mirënjohje të gjithë brezat e atdhetarëve që nuk u dorëzuan as përballë Jugosllavisë, as përballë regjimit të Millosheviçit.

“Shaban Polluzha, Adem Demaçi e Ibrahim Rugova, janë shenja të spikatura të kësaj rruge të qartë liridashëse, demokratike e perëndimore, ndaj kontributit të të cilëve, do të jemi përgjithmonë mirënjohës. Por kjo rrugë, ka pasur edhe një epokë kulmore, në të cilën kanë rënë më meritorët e lirisë dhe shtetit tonë. Djem e vajza të këtij populli që u vunë në mbrojtje të atdheut, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ishte jo vetëm ushtri, por edhe vetëdije. E cila si vetëdije, bashkonte atë çfarë dukej e përçarë, duke i dhënë kuptim e guxim rezistencës tonë kolektive kundër dhunës e okupimit. Të paharruar janë e do të mbesin përgjithmonë dëshmorët e UÇK-së, me heronjtë që i prinë kësaj epoke, në krye me Komandantin Legjendar Adem Jashari”.

Krasniqi uroi që 15 vjetori i shënimit të Pavarësisë të shërbejë si moment reflektimi për t’u përkushtuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Ky 15 vjetor, le të na shërbejë si një moment reflektimi për të marrë përgjegjësitë që na takojnë, që Kosova të mos ndalet, as nga rruga, as nga qëllimi, e as nga përpjekja. Ndërsa festojmë këtë ditë të shënuar, le ta ripërtërijmë përkushtimin tonë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për të punuar së bashku për vendin tonë”.

Ai shpreson që Kosova do të mbetet e forcohet si shtet i fortë dhe i begatë, si një fanar shprese për qytetarët dhe si një simbol i lirisë dhe demokracisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.