Osmani, Kurti e Konjufca bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz, me ç’rast kanë vendosur kurora me lule pranë varreve të familjes Jashari, raporton DTV.

Krerët e Kosovës ishin të shoqëruar edhe nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Presidentja Osmani, tha se po nderojnë sakrificën e guximin e familjes Jashari.

Ndërsa kur foli rreth vizitave të mëhershme, zonja Osmani iu referuar ish-presidentit Ibrahim Rugova si president historik e arkitekt të Pavarësisë, ndërsa Adem Demaçit, ish të burgosurit politik e simbolit të rezistencës, vetëm si veprimtar.

Osmani tha se në këtë 15-vjetor të Pavarësisë nderohet sakrifica e gjithë atyre që dhanë jetën që populli i Kosovës të jetojë i lirë dhe i pavarur.

“Për të nderuar sakrificën e familjes Jashari, trimërinë dhe guximin e tyre nëpërmjet të cilëve u vunë themelet e forta të shtetit. Kurse pak më herët natyrisht nderuar edhe presidentin historik, Ibrahim Rugovën, arkitektin e shtetit të Kosovës, veprimtarin Adem Demaçi. Natyrisht që bëmë nderime te monumenti i personave të pagjetur”, theksoi presidentja Osmani.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Prishtina është kryeqyteti i Republikës së Kosovës ndërsa Prekazi është kryeqyteti i kryengritjes shqiptare.

“Teksa festojmë dhe gëzohemi, i kujtojmë me mall, dhembje, krenari ata të cilët u vetëmohuar, sakrifikuan dhe dhanë jetën e tyre për lirinë e vendit. Prishtina është kryeqyteti i republikës, Prekazi është kryeqyteti i kryengritjes shqiptare andaj ardhja jonë këtu në këtë kaq të rëndësishme për popullin dhe historinë tregon që rruga jonë përpara e ka në kujtesë dhe në mendje çmimin e lartë që ka paguar për lirinë që ka dhënë. Urime pavarësinë”, ka deklaruar Kurti.

Konjufca: Sakrifica e familjes Jashari e ka ngritur kombin shqiptar në një dimension tjetër

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, duke uruar 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ka thënë se pavarësia dhe liria e vendit nuk do të ishte e mundur pa luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas tij, momenti më i lavdishëm i luftës çlirimtare të popullit tonë ka qenë lufta e Jasharajve, lufta e Prekazit kundër Serbisë për çlirim dhe flijimi i familjes Jashari.

Po ashtu, ai ka thënë se sakrifica e familjes Jashari e ka ngritur kombin shqiptar në një dimension tjetër, por sipas tij, nga ana tjetër ka zgjuar botën dhe ka tronditur ndërgjegjen ndërkombëtare.

“Dhe prej atij momenti nuk ka pasur askush dyshim që liria për popullin shqiptar dhe liria e Kosovës është e pashmangshme. Prandaj gjithmonë do të vijmë këtu që të përkulemi përpara kësaj sakrifice madhështore e cila do të kujtohet gjithmonë prej brezave që vijnë. Urime pavarësia e Kosovës”, është shprehur Konjufca.

Begaj: Shteti i lirë dhe i pavarur ka qenë amanet i dëshmorëve të kombit

Ndërkaq i pari i Shqipërisë, Bajram Begaj ka thënë se kjo datë është amaneti dhe trashëgimia që ka lënë ish-presidenti, Ibrahim Rugova dhe komandanti legjendar, Adem Jashari.

“Kënaqësi të jem këtu pjesëmarrës në 15 vjetorin e Kosovës, shteti i lirë është amaneti amaneti dhe trashëgimia që na ka lënë Rugova dhe Adem Jashari. 15 vite kemi parë rritjen dhe lindjen e shtetit të Kosovës, rrugëtimi jonë është përpara rrugëtimit euroatlantik”, ka thënë Begaj.

Për shënimin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Qeveria e Kosovës ka organizuar një sërë aktivitetesh.

Pas mbledhjes festive të Qeverisë, është bërë ngritja solemne e Flamurit të Republikës së Kosovës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.