Gashi: Mostrat e Deharit u zhdukën për ta goditur Haxhiun ose drejtorin e ardhshëm të IML-së

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi shprehet i bindur se deputeti Haki Abazi nuk ka prova të reja për rastin e Astrit Deharit.

Gashi ka thënë se konferenca e Abazit mund të jetë organizuar për goditje politike.

“Mendoj që Haki Abazi nuk është dashur të flasë për rastin e Astrit Deharit nëse nuk ka diçka konkrete që nuk e ka prokuroria. Absolutisht nuk ka kurrgjë, hiç për shkak se nuk ka çka me pasë. Është rast tepër i ndjeshëm dhe nuk duhet askush ta politizojë.  Nëse dikush apo zoti Abazi ka  informata apo çfarëdo lloj provash e ka obligim ligjor që ato t’i dërgojë në prokurori. Jo për spektakle mediale pastaj për goditje të subjektit të vet”, ka thënë Gashi.

Më tej ai ka deklaruar se mostrat e zhdukura të Astrit Deharit po ruheshin me numra dhe vetëm persona të caktuar e dinin se të kujt ishin.

Sipas Gashit, dikush i ka zhdukur mostrat me qëllim ta godasë ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu apo drejtorin e ardhshëm në IML-së.

“Nuk ka njeri në botë që i zhduk mostrat me qëllim të mirë. Qëllimi është për ta goditur zonjën Haxhiu apo për ta goditur dikë që ka pas të zgjidhet drejtor apo drejtoreshë e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Në kushte normale nuk mundet me mendu që dikush hyn në institut të vetin, se aty ka kamera të sigurisë, tash policia e ruan”, ka shtuar Gashi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.