Shqiptimi i gjobave për thyerjen e rregullave në trafik bëhen shpeshherë shkas që shoferët të revoltohen dhe t’i pengojnë zyrtarët policorë. Përpos ofendimeve, ata eskalojnë edhe në kërcënime dhe sulme fizike, duke ua vështirësuar kryerjen e detyrave.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në rrugën ‘Konferenca e Bujanit’ në Pejë, ku Policia ka ndalur një veturë, shoferi i së cilës nuk posedonte as patentë shofer, e as dokumente të tjera identifikimi.
Kjo i kushtoi të riut me gjobë, me ç’rast zyrtarët policorë ia shqiptuan një tiketë për kundërvajtje në trafik. I revoltuar pse u gjobit, i dyshuari A.Q., po dyshohet se ka penguar policët, madje njërin prej tyre edhe e ka kërcënuar se do pësojë keq.
Për ta vënë situatën nën kontroll, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve ka dhënë deklaratën e tij lidhur me atë që ka ndodhur.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje ndaj personit zyrtar’.