Rasti për çështjen e Astrit Deharit është kthyer edhe njëherë në qendër të vëmendjes.
Kjo, pas zhdukjes së provave në laboratorin e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi në një konferencë për media të enjten tha se për zhdukjen e provave kanë informacione kryeministri Kurti dhe ministrja Haxhiu.
E ish-kryeprokurori i prokurorisë themelore në Prizren, Sylë Hoxha, ka folur për DTV duke thënë se mostrat që janë ruajt aty deri më tash është dashtë të hynin në përdorim.
“Ato mostra deri tash është dashtë deri tash me hy në përdorim si ekspertiza edhe tash mo, nuk kanë nevojë me hy e me u rujt, është dashtë më u rujt mirëpo nëse është dashtë me i përdor dikush si ekspertiza ato kanë pas kohë edhe janë përdor, sepse hetimet janë nis moti, janë zhvillu njëherë në Prizren e pastaj në Prokurorinë Speciale e kështu me radhë”, është shprehur Hoxha.
Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi po thotë se Astrit Dehari është vrarë.
Por, në atë kohë prokurori Sylë Hoxha, thoshte se sipas ekspertizës që i është dorëzuar është vlerësuar që Dehari ka kryer vetëvrasje.
E, sot Hoxha ka një përgjigje për VV-në.
“A është vra apo vetëvra ato i jep ekspertiza. Unë e kam thënë atëherë se është vetëvrasje sipas raportit të ekspertizës të Mjekësisë Ligjore sepse ekspertiza ka thënë ashtu. Nëse kanë ata tash ndonjë ekspertizë tjetër le ta publikojnë, le të thonë”, ka thënë ai.
Kurse, sa u përket pretendimeve të deputetit Abazi, Hoxha tha se Prokuroria duhet të veprojë urgjentisht.
“Prokuroria duhet urgjentisht me veprua edhe me i zbardhë këto çështje, me pa se kush i ka marrë ato mostra. Tash Ministria e Drejtësisë e menaxhon IML-në dhe ata u dasht deri tash me dalë me një konkludim se kush i ka zhduk dhe si janë zhdukë. Kjo është çështje e Prokurorisë, çështje e hetimit”, ka shtuar ndër të tjera Hoxha.
Në mbrëmjen e 5 nëntorit të vitit 2016, u raportua për vdekjen e një personi brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren.
Pak minuta më vonë, u raportua se brenda qelisë së tij ishte gjetur i vdekur ish-aktivisti i LV-së, Astrit Dehari.
26-vjeçari po qëndronte aty nën dyshimet se ka qenë një nga gjashtë personat që mori pjesë në sulmin e gushtit të po atij viti me granatahedhës në Kuvendin e Kosovës.