Sipas një raporti të publikuar në prill të vitit 2022 nga Këshilli i Nxënësve të Kosovës, 34.4 për qind të nxënësve kanë deklaruar se në shkolla ka raste të ngacmimeve seksuale nga mësimdhënësit. Sipas drejtueseve të institucioneve shkollore dhe nxënësve, sfidë vazhdon të mbetet mos raportimi i tyre.
Dukuria e ngacmimit seksualë vazhdon të jetë prezentë në shkollat e Kosovës. Në një raport të publikuar vitin e kaluar mbi 30 për qind e nxënësve të anketuar nga Këshilli i Nxënësve të Kosovës janë deklaruar se në shkolla ka raste të ngacmimeve seksuale nga mësimdhënësit.
Sfidë vazhdon të mbetet mos raportimi i këtyre rasteve.
Në lidhje me këtë çështje, kryetarja e Këshillit të Nxënësve në Shkollën fillore të mesme të Ulët, “ Elena Gjika” në Prishtinë, Suara Ismaili, në një përgjigje për DTV bëri thirrje se në rast se një nxënës përballet më ngacmim seksual, duhet patjetër të raportojë te drejtuesit e shkollës, sepse kështu mund të parandalohen këto raste.
“Të gjithë ata nxënës të cilët përjetojnë ngacmim seksual duhet të drejtohen tek unë si përfaqësues e nxënësve, te psikologu i shkollës, drejtori apo koordinatori dhe të paraqesin se çfarë ka ndodhur. Duhet të tregojnë nga kush janë ngacmuar, nga nxënësi apo nga arsimtari, për arsye se ne jemi këtu për të ndihmuar dhe duhet të bisedojmë edhe me ngacmuesin, në mënyrë që të parandalohen e mos të ndodhin përsëri”, deklaroi Ismaili.
Se raportimi është shumë i rëndësishëm e thotë për DTV edhe psikologu i kësaj shkollë, Kushtrim Maloku. Ai tha se në shumë raste viktimat hezitojnë të raportojnë për shkak të kulturës ku jetojmë.
“Mund të këtë raste të tilla, por se është e nevojshme që këto raste të raportohen. Unë konsideroj që raportimi nuk bëhet dhe ndoshta në disa raste mund të fshihet për shkak të kulturës dhe ambientit në të cilin jemi”, deklaroi Maloku.
Maloku, foli edhe për pasojat më të cilat përballen këta fëmijë në jetën e tyre e që mund të vije deri te vetëvrasja.
“Këto raste duhet të raportohen sepse përveç që i mbron nxënësit në aspektin emocional dhe psikologjik, mund ta shpëtojmë atë nxënës. Nga këto situata ka nxënës që mund të bie në depresion të thellë, të këtë sjellje vetëlënduese dhe deri te vetëvrasja”, tha ai.
Se rastet e tilla nuk raportohen nga shkollat e kanë konfirmuar edhe nga Ministria e Arsimit. E për mësimdhënësit të cilët janë raportuar për ngacmim seksual, institucionet e drejtësisë kanë qenë të mbyllura për dhënien e informacioneve për ecurinë e proceseve penale ndaj tyre. Gjatë vitit 2022, te Këshilli i Nxënësve të Kosovës, u raportuan në mënyrë anonime tri raste të ngacmimeve seksuale nga një mësimdhënës.
Ndërkohë Policia e Kosovës nuk ka statistika të sakta për këto raste, sepse sipas tyre, raportimet bëhen në përgjithësi për veprën penale të ngacmimit seksual. Në një përgjigje për Radio Kosovën, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se vetëm në vitin 2022 janë raportuar 91 raste të ngacmimeve seksuale, si shifër e përgjithshme. Shpeshherë policia në komuna të ndryshme të Kosovës ka mbajtur ligjëratë informuese me temën e parandalimit të ngacmimeve seksuale në shkolla.