Skandali me foshnjën në Spitalin e Pejës, rikthehen në punë të suspenduarit

Në fund të vitit të kaluar një foshnjë e lindur e vdekur, nga pakujdesia ishte futur në lavatriçen e spitalit, bashkë me çarçafë.

Pas këtij skandali, spitali mori vendim për suspendimin nga puna të katër mamive, një pastruesi dhe dy personave në lajtore.

Ndërkohë, shefi i repartit të Gjinekologjisë, kryeinfermierja e këtij reparti, Drejtori Mjekësor dhe Drejtori i Infermierëve në këtë Spital u shkarkuan nga pozitat e tyre.

Burime brenda spitalit kanë pohuar për DTV se punëtorët që ishin suspenduar nga puna, nga fillimi i shkurtit janë rikthyer në detyrat e tyre.

DTV ka kontaktuar Spitalin e Përgjithshëm të Pejës dhe Prokurorinë Themelore të këtij qyteti, për të marrë më shumë detaje lidhur me vijueshmërinë e hetimeve dhe trajtimit të rastit.

Asnjëra nga palët nuk kanë kthyer akoma përgjigje.

Ndërkaq, prindi i foshnjës, B.Z., ka deklaruar se akoma nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga autoritetet e drejtësisë, lidhur me rastin.

“Avokatin e kam angazhu, ai i ka ndjekë të gjitha procedurat. Gjykata e as Prokuroria në Pejë nuk na kanë lajmëru hala kurgja lidhur me rastin. Nuk e paskam ditë që i kanë rikthyer në punë të suspenduarit. Kam frikë se do të zgjatet si proces” tha ai për DTV.

Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar për Indeksonline se akoma s’ka pranuar ndonjë raport zyrtar nga Bordi i ShSKUK-së lidhur me rikthimin e shërbyeseve shëndetësor të suspenduar.

“Lidhur me çështjet tjera të ngritura nga ana juaj, Ministria e Shëndetësisë është në dispozicion të organeve të hetuesisë , të cilët sipas informatave që posedoni edhe ju, janë duke hetuar rastin e Pejës” thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Ministria e Shëndetësisë kishte shkarkuar nga puna edhe ushtruesin e detyrës së kryeinspektorit në Inspektoriatin e Shëndetësisë, Shaban Osmanaj, nën dyshimin se i njëjti kishte dështuar të zbatojë detyrat dhe misionin, mbi të gjitha, të informojë drejtë dhe adresojë me kohë rastin në fjalë.

Lidhur me këtë, Ministria thotë se në një kohë të afërt pritet rishpallja e konkursit për Kryeinspektor Shëndetësor, i cili pason anulimin procedural të konkursit të shpallur paraprak për shkak të mos plotësimit të kritereve të aplikuesve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.