Kosova përfiton 75 milionë euro për energji nga marrëveshja IPA 2023

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka nënshkruar marrëveshjen IPA 2023 me shefin e zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, me të cilën Kosova do t’i përfitojë 75 milionë euro të cilat janë të dedikuara për fushën e energjisë.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, Bislimi tha se ky program përbën një hap tjetër të Kosovës drejt integrimit evropian, raporton DTV.

Bislimi tha se marrëveshja hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit, derisa 68 milionë euro do të barten në buxhetin e shtetit shumë shpejt, kurse 7 milionë vitin tjetër.

“Sot e nënshkruam marrëveshjen financiare IPA 2023 e cila i është dedikuar financimit në fushën e energjisë. Ky program përbën një hap tjetër drejt integrimit evropian dhe dëshmon përkushtimin tonë ndaj vlerave dhe standardit evropian. Nga ky program Kosova fiton 75 milionë Euro të cilat do të na ndihmojnë në kalimin e krizës energjetike”, tha Bislimi.

“Marrëveshja hyn në fuqi sot dhe menjëherë do të bëjmë kërkesë për disbursim të 90 për qind të fondeve të parapara me këtë marrëveshje të cilat kalojnë në buxhetin e shtetit, ndërsa 7 milionë euro vitin e ardhshëm. Ky është edhe një hap tjetër i rëndësishëm në kuadër të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve tanë”, tha tutje Bislimi.

E ambasadori i BE-së, në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se Bashkimi Evropian është i gatshëm ta ndihmojë Kosovën në tranzicionin energjetik dhe në bërjen e sistemit të qëndrueshëm energjetik.

“Marrëveshja vetëm se është nënshkruar nga përfaqësuesit e Komisionit Evropian në Bruksel dhe unë nuk kam qenë në gjendje të nënshkruaj asgjë sot, sidoqoftë jam shumë i kënaqur që jam sot këtu që të jem dëshmitar i nënshkrimit të kësaj marrëveshje ku BE-ja i ofron 75 milionë euro që Kosova të tejkalojë krizën energjetike”, tha ai.

Tutje, ambasadori Szunyog, tha se paketa energjetike e Kosovës paraqet grupet më të cenueshme të shoqërisë të bizneseve.

“Paketa energjetike e Kosovës paraqet grupet më të cenueshme të shoqërisë të bizneseve, më së pari është ndihmë financiare e të gjithë amvisërive. Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën në tranzicionin energjetik dhe të implementojmë strategjitë energjetike dhe të bëjmë sistemin energjetik të Kosovës të qëndrueshëm, por gjithashtu edhe më të gjelbërt”, shtoi ai.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka quajtur të veçantë programin pasi siç tha ajo i shërben direkt nevojave që ka pasur Kosova.

“Mesatarisht, familjet kosovare, gjatë vitit të kaluar kanë konsumuar 4% më pak energji elektrike sesa vitin e kaluar. E veçanta e këtij programi është që ai është në përputhje me prioritetet dhe nevojat tona”.

Rizvanolli ka thënë se Fondi i Efiçencës së Energjisë me programin do të zhvillojë programe të tjera në ndihmë të familjeve kosovare.

“Gjatë vitit të kaluar Fondi i Efiçencës së Energjisë ka zbatuar 38 projekte me investim mbi 5 milionë euro. Ky fond do ta zbatojë me këtë program, programe të reja për familjet, në izolim të shtëpive, ndërrim të dritareve e dyerve, etj. Nuk kam dyshim se do të jetë një program isuksesshëm”, tha ajo, raporton DTV.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.