Në Ministrinë së Mbrojtjes prej sot ka filluar sesioni i parë i dhurimit vullnetar të gjakut, tashmë tradicional për nevojat e Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut (QKKTGJ), aksion i cili do të vazhdojë deri më 22 mars në të gjitha kazermat e FSK-së.
Që në ditën e parë, këtij aksioni i janë përgjigjur pozitivisht shumica e personelit të Ministrisë së Mbrojtjes, ku janë grumbulluar një numër i konsiderueshëm i dozave të gjakut.
Me këtë rast, si dhurues i gjakut i pranishëm ishte edhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili theksoi se dhurimi i gjakut do të thotë të shpëtosh jetë dhe ky është një motiv shumë i lartë për të gjithë dhuruesit vullnetarë të gjakut, që t’u dalin në ndihmë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës në nevojë.
Nga ana e QKKTGJ-së, dr.Xhemile Sllamniku, theksoi se sikur në çdo aspekt që FSK i ndihmon qytetarët e vendit, ashtu ndihmon edhe në dhurimin vullnetar të gjakut, i cili gjithmonë realizohet me sukses të lartë. Gjithashtu, ajo theksoi se çdo vit e më tepër po shtohet numri i dhuruesve vullnetarë të gjakut nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
Aksioni tradicional i dhurimit vullnetar të gjakut, i cili mbahet dy herë në vit është në kuadër të bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së me Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut (QKKTGJ).
Përveç aksionit të organizuar, pjesëtarët e FSK-së kanë qenë dhe janë çdo herë të gatshëm që t’u përgjigjen kërkesave të QKKTGJ-së edhe për nevojat sporadike në raste specifike.