Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ish-eprori i lartë i UÇK-së ka përkujtuar të rënët në Likoshan dhe Çirez.
Duke përkujtuar edhe betejën në këto dy fshatra të Drenicës, Shala ka thënë se liria e Kosovës i ka rrënjët dhe themelet në luftën e lavdishme të UÇK-së
“Sot, më 28 shkurt 2023, bëhen një çerek shekulli nga aktet gjenocidale në Çirez dhe Likoshan. Liria dhe shteti i Kosovës kanë rrënjët dhe themelet në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë rrënjët në Çirez e Likoshan. Sot rikthejmë kujtesën tonë në betejën e lavdishme të Çirezit dhe Likoshanit, kujtojmë heroizmin e pashoq të njësiteve guerile të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por sot kujtojmë edhe veprimet gjenocidale të regjimit serb. Nderi dhe respekti do të jenë të përjetshëm për heronjtë dhe martirët. Gjithashtu kërkesa për drejtësi për rastin gjenocidal ndaj civilëve, nuk do të pushojë!”, ka shkruar Shala në “Facebook”.